LDK-ja ka nisur me zbulimin e premtimeve për zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë PDK-ja e AAK-ja kanë përsëritur qëndrimin se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje. E kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet nuk janë të mira as për pushtetin e as për opozitën. Sipas tij, opozita do t’i humbte ato, e Qeveria do të mbetej pa opozitë
Partitë opozitare kanë nisur javën me kërkesë për zgjedhje të reja parlamentare. Madje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zbuluar të hënën edhe projektet që synon t’i realizojë nëse vjen në pushtet.
Kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, ka publikuar në rrjetin social 100 projektet e “Rrugës së Re”, siç është emërtuar motoja e LDK-së për fushatën e ardhshme.
Ndër të tjera, ka thënë se si kryeministër do të ndërtojë central me gaz në vlerë 500 milionë euro, pastaj linjë gazi Shkup-Prishtinë-Mitrovicë, stadium kombëtar, unazë e spital për kryeqytetin, të gjitha këto në vlerë qindra miliona euro.
“E ardhmja jonë është e ndritshme. ‘Rruga e Re’ na shpie atje. Ne kemi gjetur rrugën përpara; është koha ta bëjmë të njëjtën së bashku”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
E pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, edhe përfaqësuesit e PDK-së e AAK-së kërkuan zgjedhje të parakohshme, duke e akuzuar kryeministrin Kurti se ka dëmtuar proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe se e ka humbur fuqinë elektorale.
“Favori dhe shërbimi më i madh që do t’ia bëj sot Kosovës kryeministri Kurti është të japë dorëheqje dhe të shkojë vendi në zgjedhje. Vetë fakti që atij në mendje i shkon opozita, kjo tregon që ai frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka tashmë të sigurt që kjo qeveri, kurdo që të mbahen zgjedhjet, ai nuk do të mund të krijojë. Ky është mandati i tij i fundit si kryeministër, nuk do t’i ketë as numrat, as mundësinë ta krijojë një qeveri tjetër”, ka theksuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
E shefi i Grupit Parlamentar tw AAK-së Besnik Tahiri, ka theksuar se Kusti e ka humbur fuqinë elektorale.
“Kryeministri Kurti ia filluar të bëhet humorist, ky asnjëherë s’ka pasur kujdes për opozitën, lërë për opozitën e partive të tjera, por as për njerëzit ndryshe në partinë e vet. Nuk kujdeset për njerëzit në parti që kanë mendime të ndryshme, e lërë për partitë e tjera. Se kush sa e ka fuqinë politike na e jep populli, le të del nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh çka ndodh me të. Ai e dinë qe e ka humbur fuqinë elektorale politike, për këtë është bërë humorist”, ka deklaruar Tahiri.
Para se këto parti të kërkonin zgjedhje të reja, kryeministri Albin Kurti i thumboi ato në një konferencë për media. Tha se pas zgjedhjeve, opozita do të zhdukej nga skena.
“Kam dëgjuar që opozita herë kërkon dorëheqjen, herë shkarkimin tim e herë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as Qeverisë e as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë se i humb, Qeverisë s’i konvenojnë se zhduket opozita”, ka theksuar Kurti.
Në zgjedhjet e vitit 2021, partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – fitoi mbi 50 për qind të votave.