Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaParlamenti Evropian kritikon ashpër BE-në për mos-heqjen e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian kritikon ashpër BE-në për mos-heqjen e vizave për Kosovën

Kritika ndaj Bashkimit Evropian për mospërmbushje të premtimeve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe thirrje që BE-ja të jetë më e pranueshme në rajon, janë dëgjuar të enjten në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.

 

Si dëshmi më të shpeshta se BE-ja nuk është duke ndihmuar në përmbushjen e obligimeve, janë përmendur mungesa e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këto procese nuk janë finalizuar akoma edhe pse Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se të tria këto shtete i kanë përmbushur kriteret që janë kërkuar nga to.

Në këtë mënyrë, sipas shumë folësve që morën pjesë në diskutime, Bashkimi Evropian po e rrezikon kredibilitetin e vet në rajon dhe po krijon hapësirë për ndikime të faktorëve tjerë të jashtëm.

Debati është zhvilluar edhe për të analizuar rezultatet e Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që është zhvilluar në Bërdo të Sllovenisë.

Anzhe Logar, ministër i Jashtëm i Sllovenisë, vend që ka kryesimin e radhës në BE, ka thënë se ky Samit ka shënuar forcimin e lidhjeve të BE-së dhe rajonit. Ai ka thënë se me këtë samit është rikonfirmuar përkushtimi i BE-së për procesin e zgjerimit.

Por ka pasur deputetë që premtimet dhe konkluzat nga Samiti i Bërdos i kanë quajtur vetëm “fjalë të zbrazëta”, sidomos duke përmendur refuzimin që të ketë referenca kohore për procesin e zgjerimit dhe shpresat e vendeve të rajonit për integrim në BE.

Viola von Cramon, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania, që është edhe Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se “Samiti BE-Ballkan Perëndimor në Bërdo ishte një paradë e hipokrizisë, fjalëve boshe dhe vlerësimeve për autokratët, dhe mbi të gjitha pretendimeve se BE do të zgjerohet dhe vendet e rajonit po bëjnë reforma”.

Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ketë një politikë krejtësisht të ndryshme në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, “BE nuk është më ai klubi që në vitin 2003 premtoi integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e as vendet e rajonit nuk kanë më motiv” duke bërë thirrje që të ketë më shumë sinqeritet.

Ajo sidomos ka kritikuar qasjen e BE-së ndaj, siç ka thënë, “autokratëve siç janë Vuçiq në Serbi dhe Gjukanoviq në Mal të Zi” duke kërkuar që BE-ja të jetë e sinqertë edhe kur duhet kritikuar shkeljen e normave demokratike.

“Ballkani Perëndimor nuk është në fqinjësi por në oborrin tonë. Nëse BE-ja nuk mund ta luajë rolin e vet atje, atëherë ëndrra jonë që BE-ja të bëhet një union gjeopolitik do të mbetet vetëm ëndërr”, ka thënë ajo.

Deputetja von Cramon ka thënë se hapa konkretë nga BE-ja do të ishin liberalizimi i vizave për Kosovën, forcimi i Bosnje e Hercegovinës dhe nisja e negocatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shefi i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAlister e ka quajtur Samitin e Bërdos dhe vizitën e fundit të shefes së BE-së, Ursula von der Leyen si dëshmi për përkshtimin e BE-së ndaj rajonit.

Ai, duke iu referuar edhe zhvillimeve në Kosovë, ka thënë se incidentet e fundit dëshmuan se sa të forta janë ndasitë në rajon dhe nduhet të punohet më shumë.

Deputeti nga Kroacia, Tonino Picula, ka thënë se zhvillimi i samitit është i rëndësishëm, por “nuk mund ta fshehim zhgënjimin tonë me rezultatet”.

“Është e vërtetë se janë miratuar disa vendime. Si miratimi i buxhetit për IPA. Por na duhen më shumë hapa politikë. Po shohim në rajon ndikim të faktorëve të jashtëm. Duhet të mos humbim rastin të përmendim mangësitë dhe keqësimin e situatës në disa vende. Por kur përmnbushen kushtet, ne duhet të përmbushim obligimet tona. Më konkretisht, duhet nisur negociatat me Maqedoninë (e Veriut) dhe Shqpërinë, dhe të liberalizojmë vizat me Kosovën menjëherë”, ka thënë Picula duke folur edhe në emër të grupit të Socialistëve dhe Demoratëve.

Disa deputetë u kanë bërë thirrje Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të gjejnë zgjidhje për mospajtimet e tyre e po ashtu edhe nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet.

Këta janë përmendur si shembuj se sa e ndjeshme është situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments