Komuna e Prishtinës i ka dhënë disa mundësi për zgjedhje të lokacionit Ambasadës Gjermanë për ndërtimin e një objekti, i cili do të shfrytëzohet për ambasador. Kjo ambasadë është përcaktuar për parcelën në lagjen e Spitalit.
Ekzekutivi komunal do të dërgojë nesër për miratim propozimin për pronën e paluajtshme pjesë e parcelës kadastrale, nr. P-71914059-2719-1, në sipërfaqe prej 792m2, për Ambasadën Gjermane.
Me këtë rast kanë shpërthyer pakënaqësitë në rrjetin social duke konsideruar që është dhënë në shfrytëzim hapësira komunale ku janë pishta disa vjeçare.
Lajmi.net ka parë vendimin e Komunës si dhe lokacionin e ndarë. Sipas skicave të bërë nga komuna, lokacioni është bri pishave.
“Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, me shkresën nr. 13-353/01-56732/21, ka kërkuar nga Drejtoria e Pronës e Komunës së Prishtinës, dhënien në shfrytëzim të pronës komunale,pjesën e parcelëskadastrale, nr.P-71914059-2719-1, në sipërfaqe prej 792 m2, ZK, Prishtinë, për qasje në lokacionin ku është planifikuar të ndërtohet Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.”
“Afati kohor për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës, të cekur në pikën II të këtij propozimi, është në afat për 99 vjet, duke e ruajtur të drejtën e ndërprerjes së kontratës në raste specifike. Mënyra dhe kushtet e shfrytëzimit të pronës do të caktohen me kontratë, të lidhur në mes të Kryetarit të Komunës dhe shfrytëzuesit. Andaj, duke u bazuar në dispozitat ligjore si në pjesën hyrëse të këtij Propozimi dhe në shkresat e lëndës, u vendos si në dispozitiv të këtij propozimi”, thuhet në vendimin e Komunës të cilin do ta dërgojë për miratim në asamble.