Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, do të organizojë sot takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, për të biseduar rreth vendimit për veprimet sindikale.
Në njoftim bëhet e ditur se takimi do të fillojë në orën 14:00.
Ndryshe, këtë takim e ka paralajmëruar të enjten kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai ka theksuar se ky takim është duke u organizuar si pasojë e vizitave të tij që i ka bërë në komuna për zgjedhjet e brendshme të SBASHK, duke shtuar se të gjithë e kanë ngritur çështjen e Ligjit të Pagave dhe atë se çfarë duhet të bëjë ky institucion sindikal.
“Nesër do të marrim mendimet e anëtarësisë për komunat e tyre, do të marrim edhe mendimin e kolegëve që i kemi në universitete, më pas bashkërisht do të marrim një vendim. Nëse vendoset diçka mendoj se në fillim do të kemi ndonjë protestë të vogël por nëse kjo nuk jep rezultat do të kemi greva”,ka thënë Jasharaj të enjten për KlanKosova.