Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 685 raste të reja, ndërsa sot në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1302 raste të reja dhe 51 viktima nga COVID-19.
E derisa Kosova është aktualisht e mbyllur në disa segmente ekonomike dhe në orë policore nga 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit, shtetasit e Maqedonisë mund të hyjnë në Kosovë pa test PCR.
Kështu ka treguar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti i cili tha se testet kërkohen nga vendet që Qendra Evropiane për Kontrollimin e Sëmundjeve i ka ranguar me numër të lartë të rasteve.
“Testet RT-PCR do të kërkohen për ato vende që Qendra Evropiane për Kontrollimin e Sëmundjeve i ka ranguar me numër të lartë të rasteve. Por në këtë rast do të vlejë edhe parimi i reciprocitetit. Pra vendet që nuk i Kërkojnë Kosovës teste të tilla, as Kosova nuk kërkon teste RT-PCR”.
Hoti ka thënë se qytetarët nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës nuk janë të detyruar të kenë teste RT-PCR dhe sipas tij e njëjta vlen edhe për qytetarët e Kosovës që shkojnë në këto vende.
“Me rëndësi është që ata ta dinë nëse ja vlen të udhëtohet dhe ta vlerësojnë vet gjendjen e tyre shëndetësore”, deklaroi ndër të tjera Faik Hoti.