Trupat e pajetë të 20 civilëve janë parë në një rrugë të vetme, në qytetin Bucha, afër Kyivit, raporton CNN.
Pamje të rënda të civilëve të vrarë janë publikuar nëpër media, duke u bërë testamenti i terrorit rus në Ukrainë.
Pamjet janë shpërndarë vazhdimisht sot gjatë ditës në media botërore e nga organizata dhe figura publike mbarë botën. Ukraina këtë e ka quajtur gjenocid.
Mykhailo Podolyak, këshilltar nga Presidenca ukrainase, i cili është edhe pjesë e ekipit negociator të Ukrainës, i ka rishpërndarë fotografitë të dielën, duke e quajtur këtë “masakër të planifikuar”
Në këto pamje, shihet një burrë, të cilit i janë lidhur duart nga prapa. Një tjetër shihet se është qëlluar derisa po ngiste biçikletën.
Pamjet e llahtarshme nga qyteti ukrainas Bucha janë fotografuar nga Agjencia e shtypit francez, të shtunën, në ditën kur Ukraina e deklaroi këtë qytet të çliruar prej forcave ruse.
Këto mizori po kryhen derisa forcat ruse kanë nisur të largohen nga rrethina e Kyivit, ku qëndruan që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, në përpjekje të dështuara për të hyrë në kryeqytetin e Ukrainës.
“Kufomat e njerëzve të ekzekutuar janë akoma në rrugë. Duart e tyrë janë të lidhura pas shpinës dhe janë qëlluar në kokë prapa”, i ka thënë Reutetersit kryetari i Buchas. /Express/
Më poshtë shihni videon e publikuar nga “The Guardian”