Dy aeroplanë bombardues strategjikë rusë të tipit Tu-95 janë kryer një fluturim të planifikuar 10-orësh mbi ujërat neutrale afër Alaskës, tha të premten Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, një ditë pasi Presidenti Vladimir Putin u ankua për fluturimet ushtarake perëndimore afër hapësirës ajrore të Rusisë.
Putini tha se bombarduesit strategjikë të perëndimit, që bartnin “armë shumë serioze”, kanë fluturuar brenda 20 kilometrave të kufijve të Rusisë, në një fjalim në të cilin ai tha se Perëndimi po i merr shumë lehtësisht paralajmërimet e Rusisë për të mos i kaluar “vijat e kuqe”.
“Dy bartës strategjikë të raketave me rreze të gjatë, Tu-95MS, kryen një fluturim të planifikuar në hapësirën ajrore mbi ujërat neutrale të Ngushticës së Beringut, Detit Chukchi dhe Detit Okhotsk”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.
Marrëdhëniet edhe ashtu të dobëta mes Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar edhe më tej në javët e fundit. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Rusinë për sjellje kërcënuese ndaj Ukrainës, ndërsa Rusia është ankuar për ato që i cilëson manovra provokuese të luftanijeve amerikane në Detin e Zi.
Të enjten, presidenti rus tha se Perëndimi nuk po i merr mjaftueshëm seriozisht paralajmërimet e Rusisë për “vijat e kuqe”, duke deklaruar bisedimet për ta zgjidhur konfliktin në lindje të Ukrainës janë duke shkuar drejt një “fundi të vdekur” dhe e akuzoi Perëndimin se po e përdor krizën me emigrantë në Bjellorusi kundër aleatit të Moskës, Minskut.