Anijet e rojës bregdetare kineze kanë bllokuar dhe kanë sulmuar me rrjedhë të fuqishme uji dy barka filipinase me furnizime për trupat në Detin e Kinës Jugore, që është territor i kontestuar.
Pas veprimit të kinezëve, Filipinet i urdhëruan anijet kineze që të zmbrapsen dhe paralajmëruan se barkat furnizuese të saj janë pjesë e një traktati të përbashkët të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, tha kryediplomati filipinas të enjten.
Sekretari i Jashtëm i Filipineve, Teodoro Locsin Jr., tha se askush nuk është lënduar në incidentin që ndodhi të martën, por se dy anije furnizuese u detyruan që ta anulonin misionin për t’u dërguar ushqim forcave filipinase, shkruan Associated Press.
Ky incident është shkëndija më e re në mosmarrëveshjen e gjatë territoriale në rajonin strategjik, ku Kina, Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani kanë pretendime në zonë. Kina praktikisht pretendon se i tërë Deti i Kinës Jugore është pjesë e territorit të saj dhe shtatë zona të cekëta i ka shndërruar në baza ishullore të mbrojtura me raketa.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha se roja bregdetare e Kinës e ka ruajtur sovranitetin e Kinës, pasi anijet e Filipineve hynë në ujërat kineze gjatë natës pa leje.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë pretendime në këtë zonë ujore, por kanë patrulluar në rajon me anije e mjete fluturuese për të dëshmuar përkrahje për aleatët, përfshirë Filipinet, dhe për ta mbrojtur lirinë e lundrimit.
Kina vazhdimisht i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të qëndrojnë larg ujërave të kontestuara dhe të mos ndërhyjë në atë që e cilëson si çështje rajonale.