Pavarësisht thirrjeve të Federatës Evropiane të Gazetarëve për t’i mos votuar mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje për mospolitizim të mëtutjeshëm të Komisionit të Pavarur të Mediave, deputetët e Kuvendit të Kosovës sot e votuan anëtare në KPM, Luljeta Aliun. Një vendim i tillë nuk u prit mirë as nga organizatat e huaja dhe ato vendore si dhe nga opozita të cilët akuzuan qeverinë për kapje të medias.
Me 48 vota për, Luljeta Aliu u zgjodh dje anëtare së Komisionit të Pavarur të Mediave. Ajo ia doli që, në mesin e kandidatëve të tjerë, vetë të emërohet qysh në rundin e parë.
“Me 48 vota, zgjedhet anëtare Luljteta Aliu, kurse për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e dy anëtarëve, nga katër kandidatët, s’ka mundur të zgjedhet asnjë anëtarë. Nuk e ka arritur asnjëri numrin e 46 votave, sa ishin të nevojshme për t’u zgjedhur anëtar i KPM-së”, deklaroi në Kuvend, kryetari Konjufca.
Reagime për këtë emërim pati brenda dhe jashtë vendit mbi vendimin e Qeverisë.
Qendra Evropiane për Liri të Mediave reagoi pas vendimit duke thënë se Aliu nuk mund të konsiderohet e pavarur përderisa ka përkrahur zëshëm Vetëvendosjen.
“Aliu ka përkrahur zëshëm, rregullisht dhe publikisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikën e saj. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur. Na vjen keq që e shohim këtë zhvillim, pasi bie ndesh me procesin e depolitizimit të KPM-së që kishte filluar VV-ja”, thuhet në reagim.
Tutje ata thanë se këtë vendim do t’ia përcjellin Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare pasi siç thonë ata një vendim i tillë do të ketë ndikim të madh në pavarsinë e KPM-së.
Edhe Asociacioni i gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë duke thënë se vendimi i sotëm është përpjekje e partisë në pushtet për kapje të mediave të pavarur.
“Votimi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e një avokateje publike të politikave të saj në Qeveri, tregon hapur intencën e partisë në pushtet për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura mediale”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Po ashtu në reagim thuhet se vendimi bie ndesh me qëllimin e mediave për të punuar në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga askush.
“Komisioni i Pavarur i Medieve duhet të ruajë pavarësinë politike dhe partiake, për të kryer në mënyrë të pandikuar punën për monitorimin dhe rregullimin e skenës audio-vizuale në Kosovë. Emërimi i zonjës Aliu shkon në kundërshtim me këtë përpjekje, dhe mund t’i kontribuojë klimës anti-medie që kjo qeveri ka krijuar, në shumë raste në dy vitet e fundit”, përfundon reagimi i AGK-së.
Edhe kreu opozitar, Memli Krasniqi e konsideroi vendimin kapje të mediave duke thënë se Qeveria dëshmoi se është në mision për penhgimin e fjalës së lirë.
“Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.”, shkroi ai në Facebook
Tutje ai tha se deri më sot, mediave iu kanë penguar vetëm qeverive autrokratike dhe të dështuara.
“Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.”, tha i pari i PDK-së.
Kapje të mediave vendimin e pa edhe bashkpëartiaku i Krasniqit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ai tha se me këtë vendim kompletohet mësymja e VV-së për kapje të mediave të lira.
“Mësymja e Vetëvendosjes për të kapur mediat e lira dhe veçmas RTK-në si transmetues publik, pas Bordit e Redaksisë, u kompletua sot në Kuvend me emërimin e Luljeta Aliut, një militanteje politike të Lëvizjes Vetëvendosje, si anëtare të Komisionit të Pavarur për Media.”, shkroi Tahiri në Facebook