Punëtorët teknikë në Kuvendin e Kosovës, kanë paralajmëruar veprime sindikale në rast se nuk merret parasysh kërkesa e tyre për rritje të pagave.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Në shkresën që Azemi ua ka drejtuar grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, thuhet se punëtorët teknikë marrin pagë prej 275 eurosh.
“Ne punëtorët teknikë në Parlamentin e Kosovës që juve ju krijojmë kushte për punë të përditshme, ose ankohuni në punën tonë, ose na mbështetni në kërkesën për rritje të pagave tona sepse nga java e ardhshme ne nuk do të ju ofrojmë shërbimet tona me pagat që i marrim nga 275 euro”.
“Nga e marta fillojmë me veprimet tona sindikale konform ligjit mbi grevat, andaj nëse doni reagoni është edhe në interesin e juaj”, thuhet në shkresën drejtuar grupeve parlamentare.