Behgjet Pacolli ka listuar disa gjëra, që sipas tij janë “dështime marramendëse” që e karakterizojnë këtë qeveri.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se nuk ka progres në asnjë fushë, por vetëm regres; është shkatërruar natyra e nuk ka veprime për pastrimin e lumenjve.
“Nuk ka asnjë veprim të organizuar për të motivuar qytetarët që të jetojnë dhe veprojnë në Kosovë. Përkundrazi, po përballemi me një ikje masive të qytetarëve jashtë vendit” ka thënë ems të tjerash Pacolli.
Ai thotë se shpreson të ketë sovranitet të shtrirë në veri, ndonëse mendon se mënyra që ka zgjedhur qeveria për ta bërë këtë, është e gabuar.
Ky është postimi i plotë i tij:
Kjo qeveri karakterizohet nga dështime marramendëse. Do të përmend vetëm disa fusha:
Nuk ka progres në asnjë fushë, por ka regres gjithandej.
Natyra është shkatërruar në përmasa marramendëse; nuk ka asnjë bonifikim të natyrës, por vetëm shkatërrim në të gjitha anët. Prerja masive e pyjeve ka sjellë përmbytje dhe vërshime, ndërsa tokat pjellore janë infektuar nga ujërat fekale të çdo qendre urbane. Mbeturina, si dhe trupat e pajetë të qenve dhe maceve, gjenden kudo.
Nuk ka asnjë veprim për pastrimin e lumenjve dhe rregullimin e shtretërve të tyre.
Ndotja e ambientit nga tymtarët e termocentraleve te prishura dhe opsolete është katastrofale. Smundjet kanceroze janë në rritje të shfrenuar! Nuk është ky alarm i mjaftushëm?
Nuk ka përparim drejt përfundimit të projekteve të nisura para vitit 2019, por vetëm ngecje.
Nuk ka riparim të rrugëve, por vetëm shkatërrim të mëtejshëm. Këto rrugë të shkatërruara tani rrezikojnë jetën e njerëzve.
Nuk ka rritje ekonomike dhe asnjë investim në ndonjë projekt infrastrukturor që do të linte gjurmë për të mirë.
Nuk ka investime të huaja, vetëm tërheqje të investitorëve.
Nuk ka asnjë veprim të organizuar për të motivuar qytetarët që të jetojnë dhe veprojnë në Kosovë. Përkundrazi, po përballemi me një ikje masive të qytetarëve jashtë vendit.
Kemi rritje të kriminalitetit dhe dhunës në familje.
Sipas asaj që kemi parë dhe raporteve ndërkombëtare, vitet e fundit karakterizohen nga veprime korruptive të aktorëve të përfshirë drejtpërdrejt në qeveri.
Ka degradim të gjuhës së komunikimit mes qytetarëve të indoktrinuar dhe inkurajuar nga politikat e retorika populiste e qeverisë, dhe urrejtje ndaj atyre që konsiderohen si jo mbështetës të politikave të tyre.
Shpresoj që sovraniteti i shtetit tonë është shtrirë edhe në veri, për çka do të përgëzoja këdo që ka kontribuar në këtë synim. Por më duhet të theksoj se Kosova duhet ta shtrijë sovranitetin e saj në veri me kujdes, sepse më shkon mendja se mënyra e zgjedhur nga kjo qeveri mund të jetë e gabuar. Nga praktikat e dimë se gjithçka e arritur me forcë nuk është e qëndrueshme, edhe pse shpresoj të jem gabim në këtë rast!
Diskriminimi i familjeve të komuniteteve jo-shqiptare, përmes çmimeve të dy dhe trefishta të teksteve shkollore, nuk është në përputhje me parimet e demokracisë që synojmë.
… dhe shumë dështime të tjera!