Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka çuar mesazh ish-bashkëpartiakut të tij, Agim Bahtiri pas humbjes spektakolare të tij në Mitrovicë.
Pacolli në postimin e tij ka përmendur tradhëti, pabesi, mosmirënjohje, gënjeshtra e shpifje duke i çuar mesazh indirekt Bahiti.
Madje ai thotë se njerëzit që kanë “tentuar ta lëndojnë ose e kanë tradhëtuar”, kanë dështuar.
Kujtojmë se Bahtiri kishte fituar dy mandate në Mitrovicë nën logon e AKR-së. Gjatë mandatit të dytë, ai kishte lënë AKR-në për t’iu bashkuar partisë së Kurtit.
Postimi i plotë:
Tradhëtia, pabesia, mosmirënjohja, gënjeshtra, shpifja, gjuha e ndyrë etj, ndikojnë negativisht në kualitetin e jetës dhe kthehen gjithmonë si “bumerang” në kurriz të secilit. Në përvojën time, njerëzit që më kanë braktisur me dashakeqësi kanë tentuar të më lëndojnë ose më kanë tradhëtuar në jetë, kanë dështuar çuditërisht. Unë besoj se njerëzit e mirë shpërblehen dhe të këqinjtë ndëshkohen nga jeta. Herët apo vonë.