Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmePa presion të madh, dialogu rrezikon të dështojë

Pa presion të madh, dialogu rrezikon të dështojë

Pa presion të vazhdueshëm ndërkombëtar nuk pritet të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi, thonë njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Dushan Janjiq.

Sipas tyre, procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve rrezikon të dështojë.

Komentet pasojnë një rund të ri bisedimesh që u zhvillua të hënën në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.

Në agjendë të diskutimeve ishin çështje që dalin nga Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, por të dyja palët thanë se nuk ka pasur ndonjë përparim.

Për këtë marrëveshje janë dakorduar gojarisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndër pikat më të diskutueshme të saj është ajo që kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur më herët, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se takimi i 15 majit synoi t’i “qartësonte çështjet e hapura” dhe se “diskutimet do të vazhdojnë”.

Megjithatë, ai nuk specifikoi se kur do të mund të mbahet takimi i radhës.

“Takime shterpë”

Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se mënyra se si po zhvillohet dialogu aktualisht, i zbeh gjasat që zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të ketë sukses.

Sipas tij, takimet e kryenegociatorëve “janë shterpë” dhe dëshmojnë se “vetëm prezenca e nivelit të lartë politik në dialog dhe presioni i drejtpërdrejtë ndërkombëtar mbi ta, mund të prodhojë rezultate konkrete për çështje të rëndësishme”.

“Ideja është që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq po e dëshmojnë vazhdimisht që vetëm ata janë ‘alfa dhe omega’ e gjithë dialogut dhe çdo takim ku ata nuk janë prezentë, është i destinuar që të dështojë. Por, në Ballkan, vetëm presionet e mëdha janë efikase dhe vetëm me presione të mëdha diplomatike mund të shkohet përpara në mënyrë kualitative”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 2 maj, kur edhe u pajtuan për Deklaratën për personat e zhdukur të luftës. Për çështjen tjetër që ishte në diskutim, përkatësisht draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk kishte dakordim.

Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se pengesa kryesore në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, si dhe në gjithë procesin e dialogut, ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohen bisedimet ndërmjet palëve në Bruksel. Sipas tij, ato po i kthehen nivelit teknik, në vend se ta ruajnë nivelin politik.

“Në qoftë se Brukseli [si ndërmjetësues i dialogut] vazhdon t’i përmbahet metodës së tij të mosnjohjes së realitetit dhe të mos ndryshojë diçka – ndërkaq, duhet ta ndryshojë formatin e bisedimeve dhe plotësisht ta përjashtojë dialogun teknik – ai po kthehet në dialog teknik. Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë jo vetëm që nuk ka paralajmërim për përparim, por nuk do të ketë fare”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Qasja e kundërt e palëve ndaj Marrëveshjes

Pas takimit të 15 majit, Bislimi tha se pala serbe “nuk ka treguar gatishmëri për të diskutuar” dhe “për të dalë bashkërisht me një plan të zbatimit” të marrëveshjes.

Sipas tij, pala serbe ka insistuar që të bisedohet vetëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Petkoviq, në anën tjetër, tha se bisedimet ishin “të mundimshme”.

“Kur e përmenda Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Bislimi tha se për herë të parë po e dëgjoj këtë, duke pyetur se çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, deklaroi Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se pala kosovare është “e interesuar për zbatim të plotë të marrëveshjes, pa kushte dhe pa vonesa”.

“Është problemi te pala tjetër, e cila, nga pesë pikat e preambulës dhe 10 nenet e marrëveshjes, dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm te neni 7”, tha Kurti.

Neni 7 i Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por flet për sigurimin e një “niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

A po rrezikohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve?

Muhaxhiri thotë se që nga arritja e pajtimit në Ohër për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, palët kanë treguar se kanë qasje jokonstruktive për sa i përket zbatimit.

Interpretimi i marrëveshjes sipas interesave të palëve, thotë ai, është parë edhe në takimet ndërmjet tyre, qoftë në nivelin e lartë politik, qoftë në nivelin e kryenegociatorëve.

“Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë akomoduar me këtë situatën e kritereve të dyfishta, ku disa kritere i kanë para presioneve dhe shantazheve dhe disa kritere i kanë kur nuk ekzistojnë këto presione dhe këto shantazhe. Pra, të dy liderët janë duke e dëshmuar vazhdimisht se vullnetin e kanë minimal për të arritur marrëveshje, ndonëse proceset integruese evropiane të shteteve të tyre varen ekskluzivisht nga suksesi në dialog”, thotë Muhaxhiri.

Janjiq thotë se palët në dialog, Kosova dhe Serbia, po vazhdojnë t’i përmbahen kornizës së dialogut, por vetëm në mënyrë formale. Sipas tij, ato po bëjnë gjithçka që është e mundur për ta detyruar palën tjetër që ta braktisë dialogun.

Në këtë pikë, ai thotë se një pjesë të fajit e ka edhe Bashkimi Evropian, që nuk ka insistuar te Kosova dhe Serbia që të arrijnë marrëveshje për kthimin e serbëve nga veriu i Kosovës në institucione.

Sipas tij, pa rregullimin e kësaj çështjeje, zbatimi i Marrëveshjes për normalizim nuk do të nisë.

“Kjo është injoruar dhe tash e kemi këtë histori që do të zvarritet me muaj të tërë dhe rezultat nuk do të ketë. Por, çfarë është më e rrezikshme? Po rrezikohet që të braktiset rruga e normalizimit. Unë kam frikë se e gjithë kjo nuk do të përfundojë mirë”, thotë Janjiq.

Serbët në veri i kanë braktisur institucionet e Kosovës qysh nga nëntori i vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një plan të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Një nga kushtet që përmendin për kthimin në institucione është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë asociacion në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Serbia ka insistuar në kompetenca të gjera për të, por Kosova ka qenë kundër, nga frika se të tillat mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Komuniteti ndërkombëtar, muajve të fundit, e ka rritur trysninë mbi Kosovën për themelimin e këtij asociacioni, ndërsa ka paralajmëruar edhe për shpërthimin e mundshëm të dhunës në veri të Kosovës, nëse palët nuk e mbajnë rrugën e normalizimit. /REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments