Kabul, 8 maj 2021. Një shkollë në lagjen “Dasht-e-Barchi” dhe hapësira përreth saj goditen papritmas nga disa shpërthime. 68 persona, shumica nxënëse të shkollës, mbesin të vdekur. Ngjarja prek emocionalisht shumë njerëz në mbarë botën, në mesin e tyre edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila një ditë pas kësaj tragjedie u deklarua zemërthyer nga ngjarja.
“Zemërthyer nga sulmi i egër terrorizues në Kabul që la të vdekura dhjetëra nxënëse. Mendimet tona janë me familjet e prekura dhe me popullin e Afganistanit. U dëshirojmë shërim të shpejtë të lënduarve”, thuhet në postimin e zonjës Osmani në Twitter, publikuar më 10 maj, një ditë pas shpërthimeve në Kabul.
Vetëm dy ditë pas shpërthimeve në Afganistan, më 10 maj, rreth 3.000 kilometra në perëndim të Afganistanit, nisi një konflikt që do ta linte në hije rastin e shkollës së Kabulit. Pas disa incidenteve mes forcave izraelite dhe civilëve palestinezë dhe pas vendosjes së një ultimatumi nga Hamasi, i cili nuk u respektua nga Izraeli, ky grup dhe një grup tjetër, i quajtur Xhihadi Islamik, filluan të sulmonin me raketa në drejtim të Izraelit. Ky i fundit u kundërpërgjigj fuqishëm me sulme ajrore.
Gjatë konfliktit, i cili zgjati 11 ditë, u vranë së paku 260 persona – 248 në Gaza e 12 në Izrael. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, në mesin e viktimave ishin 66 fëmijë e 39 gra. Sipas autoriteteve izraelite, në mesin e 12 të vrarëve në Izrael janë edhe dy fëmijë.
Numri i përgjithshëm i fëmijëve të vrarë në këto luftime, rastësisht, përkon me numrin e të vrarëve nga shpërthimet në Kabul të Afganistanit, për të cilat reagoi presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Megjithatë, reagimi i saj mungoi në rastin e fëmijëve palestinezë e izraelitë.
Nuk dihet nëse zonja Osmani ka vazhduar ta lexojë të përditshmen e njohur britanike, “The Independent”, lajmin e së cilës e bashkëngjiti në reagimin e saj në Twitter për viktimat e Kabulit, nga 10 maji deri më 21 maj, por është vështirë të besohet që të mos i ketë parë fotografitë e fëmijëve të vrarë e ndërtesave të rrënuara nga bombardimet në Gaza e Izrael. Ato mbizotëronin në ballinat e të gjitha medieve kryesore ndërkombëtare përgjatë tërë kohës sa zgjatën luftimet. Zonja Osmani qëndroi e heshtur.
Gjatë kësaj periudhe, ajo gjeti kohë që të shënonte disa ngjarje të tjera ndërkombëtare, si Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. “Kjo datë e rëndësishme është përkujtim i nevojës për ta respektuar të drejtën njerëzore të secilit për t’i zgjedhur ata që i dashurojnë”, shkroi më 17 maj në Twitter zonja Osmani.
Ajo gjeti kohë që në rrjetet sociale të bënte edhe disa urime. Më 17 maj e uroi popullin norvegjez për Ditën e Kushtetutës së Mbretërisë së Norvegjisë, ndërsa të martën e uroi popullin e Jordanisë dhe Mbretin Abdullah të kësaj mbretërie për Ditën Kombëtare