Në ditën e parë të vizitës në Kanada, delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, u prit me nderimet e larta ushtarake në bazën e Forcave të Armatosura të Kanadasë në Halifax.
Delegacioni mikpritës kanadez u kryesua nga ministrja e Mbrojtjes Kombëtare e Kanadasë, Anita Anand.
Në takimin bilateral të realizuar, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, shprehu vullnetin për inicimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve tona.
Ministrja Anand u pajtua dhe premtoi që do të fillohet me bashkëpunimin në nivel të grupeve punuese për hartimin e marrëveshjes bilaterale.
Gjithashtu, ministri Mehaj theksoi interesin për bashkë-zbarkim të trupave tona së bashku me trupat kanadeze në misione ndërkombëtare, në mënyrë që kontributi ynë i filluar si kontribues i sigurisë globale të thellohet edhe më tej.
Në fund, ministri Mehaj e ftoi ministren Anand për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës dhe u dakorduan që kjo vizitë të zhvillohet në një të ardhme të afërt.