Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, udhëtoi për në Washington, D.C., për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit si dhe për të mbajtur fjalim në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, e cila mbledh mijëra kongresistë, politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë bota, Presidentja Osmani do të mbajë fjalimin kryesor nga përfaqësuesit ndërkombëtar në kuadër të Drekës Ndërkombëtare. Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë.
Gjatë qëndrimit në Washington, Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së SHBA-së, me fokus në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit tonë.Lutjet Nacionale të Mëngjesit janë një traditë gjashtëdekadëshe, ku çdo vit mblidhen zyrtarët më të lartë amerikanë, anëtarë të Kongresit, politikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga shumë vende të botës për lutje të përbashkëta.