Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur këtë të premte në takim lamtumirë shefin e EULEX-it, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, të cilin e ka dekoruar me medalje presidenciale për sundimin e ligjit.
Presidenca njofton se në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave.
“Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Osmani gjithashtu ka theksuar rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare, që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Ajo e ka falënderuar EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim.
“Dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit paraqet vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj Ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë”, thuhet mes tjerash në njoftim.