Promovimi i koordinuar i potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimi i dialogut publiko-privat, ishin në thelb të diskutimit gjatë një takimi që Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, mbajti me strukturat udhëheqëse të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).
Duke folur para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Siç njofton OEAK, në ndërlidhje me këtë çështje, Osmani inkurajoi përfshirjen aktive të sektorit privat përmes ofrimit të rekomandimeve konkrete.
“Ajo tha se dera e Zyrës së Presidentes do të jetë përherë e hapur për përfaqësuesit e sektorit privat, duke demonstruar vullnetin e saj për përkrahje dhe përpjekje të koordinuara. Presidentja tha se duke e fuqizuar sektorin privat në vend, e bëjmë atë edhe më atraktiv në aspektin e punësimit”, u tha në komunikatën e OEAK.
Duke folur për popullsinë e Kosovës, e cila vijon të jetë popullsia më e re në moshë në Kosovë, presidentja tha se kapitali njerëzor është aseti më i rëndësishëm i Kosovës. Në ndërlidhje me këtë, ajo theksoi nevojën e investimit në zhvillimin e vazhdueshëm të kapitalit njerëzor.
Presidentja foli edhe për rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës në zhvillimin ekonomik të Kosovës.