Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Viti para gazetarëve, duke folur për çështjen e Urës së Ibrit, tha se në takimet që ajo ka pasur me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk i është thënë se janë kundër hapjes së Urës.
Osmani ka thënë se ura mbi Ibër duhet të hapet patjetër në mënyrë që të jetë “sukses i përhershëm”, por jo që të nxisë prezencë më të madhe të NATO’s.
Sipas saj duhet të zgjidhet momenti për hapjen e kësaj ure.
“Në takimet e mia me SHBA, asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së Urës, përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraparë hapjen e urës, por sikurse për cdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulen bashkë institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë dhe ta hartojmë së bashku planin e zbatimit, i cili i merr parasysh vlerësimet e sigurisë të Kosovës dhe aleatëve tanë dhe ju siguroj që në shumicën e rasteve ato janë identike se institucionet bashkëpunojnë dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të zgjidhet momenti më i volitshëm që çështja e hapjes së urës të jetë sukses i përhershëm, jo i momentit. Ajo urë nuk është dashur të mbyllet kurrë, ajo është mbyllur për arsye komplet politike. Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interesin e Kosovës që të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin. Ne nuk kemi arsye të jemi në konflikt me aleatët tanë”, tha Osmani.