Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se pas situatës së fundit të krijuar nga agresioni i Rusisë mbi Ukrainën dhe pas përkeqësimit të situatës së sigurisë së përgjithshme, mbi ushtarët e Kosovës rëndon barra për sigurinë e popullit dhe shtetit.
Nga Kazerma “Adem Jashari”, Osmani tha se kërcënimet ndaj lirisë tashmë janë realitet.
“Sot, mbi ushtarët tanë bie barra e sigurisë për popullin dhe për shtetin tonë. Unë besoj fuqishëm se ju jeni gardianët tanë dhe gardianët e çdo cepi të territorit të Kosovës. Lufta jonë çlirimtare bashkë me aleatët tanë e bëri lirinë tonë, e ju të nderuar ushtarë do ta mirëmbani lirinë tonë. Kërcënimet ndaj lirisë, tashmë janë realitet, të cilin ne akoma po e përjetojmë. Hegjemonia po shihet akoma në kontinentin tonë, pra në Evropë. Ne i njohim edhe sot vuajtjet e tyre dhe i njohim gjithnjë e më shumë ata që synojnë hegjemoninë”, tha ajo.
Osmani tha se kjo situatë e bën të domosdoshme nevojën për unitet dhe vigjilencë.
“Kjo situatë e bën të domosdoshme nevojën për unitet dhe për vigjilencë, sepse siç nuk ka luftë të përhershme, nuk ka as paqe të përhershme! Ne nuk duhet të heqim dorë asnjëherë nga përpjekja jonë që shtetin ta mbajmë stabil, e t`i dalim zot kudo, e kurdo. Si komandante supreme e ushtrisë sonë, jam e bindur se ju të dhashur ushtar do ta bëni këtë dhe jeni të gatshëm për secilën situatë”, tha ajo.
Më tutje, Osmani tha se sot si asnjëherë më parë duhet që të rritet përkushtimi për ushtrinë tonë.
“Megjithëse ushtria jonë është në fazën e transformimit, ju tashmë keni dhënë prova të mjaftueshme se krahas partnerëve ndërkombëtarë mund të shërbeni në çdo mision, të jeni jo vetëm garantues te paqes në shtetin tonë, por edhe importues të saj, kudo ku e kërkon nevoja. Sot, sikurse asnjëherë më parë, ne duhet ta rrisim përkushtimin për ushtrinë tonë”, ka thënë ajo.