Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeOsmani ia kërkoi Bidenit anëtarësimin në NATO, përgjgijet Departamenti amerikan i Shtetit

Osmani ia kërkoi Bidenit anëtarësimin në NATO, përgjgijet Departamenti amerikan i Shtetit

Shtetet e Bashkuara i mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, por kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjate dhe të kujdesshme, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Kosova mund ta dëshmojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë që sjell anëtarësimi në NATO, duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit [të Forcave të Sigurisë së Kosovës] dhe duke mos devijuar prej tij”, shtoi zëdhënësi.

Përgjigjja nga Departamenti amerikan i Shtetit vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një letre që mban datën e 10 marsit, i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të shfrytëzojë “udhëheqjen dhe ndikimin, për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.

“Meqë ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë i domosdoshëm”, ka thënë Osmani në letrën që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Ajo ka thënë se sytë e botës tani janë te lufta në Ukrainë, por, sipas saj, “nuk duhet të harrojmë situatën e brishtë me të cilën përballemi në Ballkan”.

“Ne jemi të ekspozuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe për të destabilizuar gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Osmani.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që “ta ndihmojnë Kosovën për të siguruar vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

“Ne vazhdojmë ta mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës derisa ajo bën përparim të rëndësishëm dhe domethënës në planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit, i cili është zhvilluar me mbështetjen e SHBA-së, me qëllim të ndërtimit të një force mbrojtëse shumetnike, që nuk është vetëm në gjendje të mbrojë integritetin territorial të Kosovës, por edhe të kontribuojë në përpjekjet globale të sigurisë përtej kufijve të saj”, tha zëdhënësi.

Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri të plotë që nga viti 2018. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Pritet që FSK-ja, gjatë transformimit, të dyfishojë numrin e forcave të saj dhe të bëhet një ushtri profesionale prej 5,000 trupash.

Detyrat e mëparshme të FSK-së kanë përfshirë reagimin ndaj krizave dhe mbrojtjen civile.

Pas miratimit të legjislacionit të nevojshëm për transformimin e saj, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ky veprim është “i natyrshëm” për një “vend sovran dhe të pavarur” dhe kanë bërë thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

NATO-ja, në anën tjetër, e ka cilësuar vendimin për FSK-në si “të pakohë” dhe ka thënë se është në kundërshtim me këshillat nga aleanca.

Rusia, aleate tradicionale e Serbisë – nga e cila Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 – e ka dënuar veprimin, duke thënë se ai është një shenjë se situata në Ballkan po përkeqësohet.

Krahas presidentes, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia nënkupton që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet ta bëjnë më të lehtë anëtarësimin e vendeve kandidate në radhët e tyre.

Kurti i ka bërë këto komente në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, më 8 mars.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ne nuk mund të sillemi normalisht… Prandaj, as anëtarësimi në BE, as anëtarësimi në NATO nuk mund të bëhen në mënyrat e vjetra”, ka thënë Kurti.

Ai nuk ka dhënë detaje se cila mund të jetë mënyra tjetër për anëtarësimin e vendeve në NATO, por ka thënë se Brukseli, si kryeqytet i NATO-s dhe i BE-së, duhet ta rimendojë mënyrën e re të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor.

Një zyrtar i NATO-s i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 21 mars se kriteret për anëtarësim në NATO janë të përcaktuara qartë në Traktatin e Uashingtonit [ose Traktatin Veri-Atlantik] dhe se “vendimet për anëtarësim në NATO merren nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, me votim unanim”.

Nga 30 shtete anëtare të NATO-s, katër prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se, derisa Kosova mbrohet nga NATO-ja, ajo duhet të punojë drejt anëtarësimit – së pari duke hequr barrierën e shteteve që nuk e njohin.

Zyrtari i NATO-s ka thënë se angazhimi i kësaj organizate në Kosovë nuk ka ndryshuar dhe se ajo mbetet fuqishëm e përkushtuar, përmes misionit të saj paqeruajtës KFOR, i cili “kontribuon për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”.

“Përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, ne gjithashtu vazhdojmë t’i kryejmë aktivitetet tona për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë në Kosovë, brenda mandatit të tyre fillestar. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR bazohet në kushte dhe jo kalendarë”, ka thënë zyrtari.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, kur ka përfunduar lufta dhe forcat serbe janë tërhequr. Mbi 3,700 ushtarë nga vende të ndryshme të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments