Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaOsmani i kundërpërgjigjet ashpër Borrellit për aksionin e Policisë

Osmani i kundërpërgjigjet ashpër Borrellit për aksionin e Policisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dalë ashpër kundër disa pikave në Raportin e Progresit të këtij viti që Komisioni Evropian e ka hartuar për arritjet dhe ngecjet e Kosovës dhe disa qëndrimeve të zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës. Në një konferencë për media, Osmani kërkoi nga zyrtarët evropianë që t’i përkrahin aksionet kundër krimit dhe jo t’i kundërshtojnë ato.

Osmani citoi se KE në Raport thekson se për Kosovën mbetet sfidues luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe mungesa e lirisë së shprehjes në veri të vendit. Duke cituar po ashtu Raportin e Progresit që sugjeron se duhet të merrem masa shtesë për t’i luftuar aktivitetet kriminale, përfshirë korrupsionin dhe pikëkalimet ilegale të kufirit, Osmani tha se zyrtarët e BE-së duhet ta përkrahin Kosovën në këto çështje në të ardhmen.

“Ne kërkojmë nga të gjithë zyrtarët e BE-së që t’u qëndrojnë besnikë këtyre deklaratave, në mënyrë që sa herë që institucionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës ta luftojnë krimin dhe kontrabandën në çdo cep të vendit tonë, përfshirë në veri, ta kemi përkrahjen, e jo kundërshtimin e tyre”, tha Osmani.

“Qëndrimi im si presidente në lidhje me këtë është tashmë i qartë. Në luftë me krimin dhe korrupsionin nuk ka asnjë kompromis dhe kjo është dëshmuar tashmë”, theksoi presidentja.

Ajo u shpreh se shpreson që në të ardhmen zyrtarët e BE-së të mos bëjnë “deklarata të njëanshme e të pabazuara”, duke iu kundërpërgjigjur kështu Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili tha se Kosova duhet të mos marrë “veprime të njëanshme”, pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës.

“Shpresoj që në të ardhmën, zyrtarët e BE-së të mos bëjnë deklarata të njëanshme e të pabazuara, të cilat vetëm sa mund të rrisin tensionet e të pengojnë përpjekjet tona për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës. Mua më vjen mirë që sot ka pasur reflektim. Unë e mirëpres deklaratën e Z.Blinken….”, deklaroi Osmani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments