Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaOsmani: Do të kujdesem që t’i ruaj dhe kultivoj trashëgiminë dhe miqësitë...

Osmani: Do të kujdesem që t’i ruaj dhe kultivoj trashëgiminë dhe miqësitë që i krijoi ish-presidenti Rugova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova në ditëlindjen e tij.

 

Osmani thotë se Ibrahim Rugova, bashkë me shumë burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Osmani tha se si presidente e vendit do të kujdeset që trashëgimia politike e Rugovës, miqësitë që krijoi për vendin e sidomos ajo me ShBA por edhe me vendet e BE-së të ruhen e të kultivohen.

“Sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës sonë të mosvarme, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë. Ibrahim Rugova, bashkë me shumë burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur. Përtej kësaj, ai e krijoi dhe na e la trashëgim edhe modelin e papërsëritshëm dhe të pakapërcyeshëm të politikanit humanist, unifikues i jashtëzakonshëm i popullit të vet e përafrues i madh i të tjerëve rreth vlerave të vendit të tij. Ai insistonte që për ta arritur lirinë fizike, duhej kultivuar para së gjithash lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonim lirinë për veten e për të tjerët. Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit, duke e vulosur përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me vendet demokratike. Këto, sikur dihet, i ndihmuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999, me luftën çlirimtare të Kosovës. Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej”, ka shkruar Osmani.

Shkrimin e saj presidentja Osmani e përundoi me atë se Kosova do t’i jetë përherë mirënjohës kolosit të dijes.

“Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse këtij kolosi të dijes, të kulturës e të politikës”, shkroi Osmani.

Ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,

– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,

– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),

– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),

– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980

– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,

– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986

– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,

– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,

– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,

– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.

– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.

– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.

– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.

– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments