Ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka vizituar gjatë ditës së djeshme Klinikën e Onkologjisë në QKUK, me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Gjatë vizitës në Onkologji, Gexha-Bunjaku ka shprehur mbështetjen e plotë të MSH-së për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të prekurit nga kanceri i gjirit.
Por, Klinika e Onkologjisë tash e disa kohë përballet me mungesë të ilaçeve bazike për trajtimin e kancerit.
Një qytetare e cila ka shkuar para tri ditësh në Onkologji për të marrë terapinë e domosdoshme kundër kancerit, ka bërë të ditur për lajmi.net se ka hasur në mungesë të terapisë në këtë klinikë, gjë që e ka detyruar të kthehet në shtëpi.
“Na kanë thënë se mungon Transtuzumab-herceptina, pastaj edhe për pacientët që sëmundja ju ka kaluar në metastazë ka pasur mungesë të Zometas, edhe ata janë kthyer pa e marrë terapinë që e kemi të domosdoshme”, ka thënë kjo qytetare.
Lajmi.net ka provuar po atë ditë të marrë një prononcim nga drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurteshi, por i njëjti edhe pse i ka parë pyetjet e dërguara nga redaksia, nuk është përgjigjur në lidhje me mungesën e ilaçeve në këtë klinikë.
Më herët Kurtishi kishte deklaruar për lajmi.net se furnizimi me ilaçe do të bëhet së shpejti dhe se për detaje të tjera duhet të kontaktohet Barnatorja Qendrore e spitalit.
Nga drejtoria e SHSKUK-së e cila është përgjegjëse për furnizimin me ilaçe dhe medikamente të nevojshme, kanë thënë se furnizimet janë duke u realizuar.
“Sipas Shërbimit Farmaceutik në QKUK, furnzimet janë duke u realizuar, pritet që me alokimin e buxhetit të vazhdojë furnizimi i mëtejmë, sipas planifikimeve”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së SHSKUK-së .
Mungesa e barnave dhe ilaçeve të nevojshme në QKUK, e sidomos në klinikat që trajtojnë sëmundje të rënda, kishte shkaktuar polemika edhe më herët drejt Ministrisë së Shëndetësisë, por situata për pacientët vazhdon të mbetet e njëjtë, ku familjarët e pacientëve detyrohen që shpesh herë t’i blejnë vetë medikamentet e nevojshme për trajtimin e sëmundjeve.
Aktualisht në Klinikën e Onkologjisë në QKUK mungojnë ilaçet si: Herceptina, Zometa, Cisplatina, Etopoziti, Surafenib, Erlotinib.