Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur “shqetësimin e thellë” për fatin e Princeshës Latifa të Dubait, pasi kanë kaluar dy muaj që kur ka kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe të tregojë prova se ajo është akoma gjallë.
Në shkurt, Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut kërkoi prova në lidhje me vajzën e sundimtarit të Dubait, Sheik Mohammed bin Rashid Al-Maktoum, pasi BBC transmetoi një video të xhiruar nga Latifa, në të cilën ajo thoshte se po mbahej rob, dhe kishte frikë për jetën e saj.
Sheikh Mohammed është nënkryetar dhe kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe. Dubai është një nga shtatë emiratet. Vajza e tij 35 vjeçare nuk është parë në publik që nga marsi i vitit 2018, kur asaj i dështoi përpjekja për t’u larguar nga vendi.
“Ne nuk kemi asnjë provë se ajo është gjallë. Do të donim vetëm një provë të vetme bindëse se ajo është gjallë”, u tha gazetarëve në Gjenevë, Marta Hurtado, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Emiratetet e Bashkuara Arabe kanë thënë se për të janë duke u kujdesur, si familja ashtu edhe profesionistët shëndetësorë.
Gjykata Supreme në Londër pati vendosur më 2019 se sheiku Mohammed bin Rashid al Maktoum, ka rrëmbyer të dyja vajzat e veta dhe i ka mbajtur kundër dëshirës së tyre.