Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosova​OJQ-të kërkojnë që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të kthehet...

​OJQ-të kërkojnë që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të kthehet në pikën zero

Koalicioni i OJQ-ve, FOL, IKD dhe GLPS kanë kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që ta anulojnë të gjithë procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas tyre, asnjëri nga kandidatët që kanë qenë në garë për këtë pozitë nuk ka dëshmuar shkathtësi, njohuri dhe aftësi për pozitën që kanë aplikuar.

Kjo kërkesë e këtij koalicioni të OJQ-ve po bazohet në shkelje të shumta të cilat janë evidentuar në raportin me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, të publikuar nga vetë ky koalicion.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se bazuar në vlerësimin e tyre asnjëri nga kandidatët për këtë pozitë nuk ka treguar shkathtësi të mjaftueshme.

Ajo thotë se në rast se KPK nuk e merr parasysh këtë rekomandim atëherë do të kemi një Kryeprokuror të Shtetit që nuk plotëson standardet minimale për këtë post, dhe i cili është mbivlerësuar me pikët gati maksimale nga paneli vlerësuar dhe ka integritet të kontestuar.

“Koalicioni rekomandon KPK-në që të anulojë komplet procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të shkeljeve të procedurave dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi… Fatkeqësisht vlerësimi i koalicionit ka qenë që asnjëri prej kandidatëve nuk ka treguar shkathtësi të mjaftueshme për të marrë një pozitë të tillë këtë e themi për shkak të rëndësisë që kjo pozitë ka në sistemin prokurorial të Kosovës dhe si e tillë ne kërkojmë që ky proces të anulohet dhe me anulimin e procesit të evidentohet të gjitha shkeljet procedurale dhe substanciale të cilat i kemi vërejtur… Nëse KPK nuk e merr parasysh këtë rekomandim do të ishte fatkeqësi shumë e madhe meqenëse do kishim një Kryeprokuror i cili do të cilësohet që nuk i plotëson standardet minimale për një pozitë të tillë, një prokuror i cili sipas vlerësimit tonë është mbivlerësuar me pikët gati që maksimale që janë dhënë nga paneli vlerësues, dhe një kryeprokuror që nuk ka arritur të vërtetojë shkathtësitë e tij për udhëheqje e një zyre siç është ajo e Kryeprokurorit”, theksoi Hoxha.

Kurse, Gëzim Shala nga Instituti I Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se nëse Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e anulon procesin, topi bie tek presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas tij, paneli vlerësues ka treguar një preferencë të theksuar ndaj prokurorit, Blerim Isufaj dhe kjo është vërejtur edhe gjatë intervistimit të tij.

“Në rastin konkret ka një marzhë më të gjerë që presidentja e Kosovës për të vlerësuar nëse në rastin konkret duhet ta dekretoj Kryeprokurorin e ri, për këtë arsye edhe në kuadër të zyrës së Presidentit nëse eventualisht KPK nuk i merr rekomandimet dhe nuk e anulon procesin do të thotë që topi i përgjegjësisë bie tek presidentja e cila duhet të siguroj që ky proces ka qenë meritor dhe siç e përcakton Kushtetuta dhe ligji… Në fakt për Blerim Isufaj do të thotë që komisioni ka pasur një preferencë të theksuar edhe gjatë zhvillimit të intervistës, do të thotë nëse e shohim mënyra dhe kurtezia e treguar në raport m Blerim Isufajn ka qenë shumë më e madhe sesa me kandidatët e tjerë, dhe përderisa disa kandidatëve u është janë bërë edhe pyetje shtesë kur e kanë trajtuar një rast si është shembull Armend Hamiti kjo nuk ka ndodhur me rastin e prokurorit Isufaj i cili thjesht thotë se kemi të bëjmë me një keqkuptim të Agjencisë”, tha Shala.

Sipas këtij hulumtimi del se edhe peontimi i kandidatët nuk është real, ndërsa trajtim jo të barabartë është parë edhe gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve garues për Kryeprokuror të Shtetit.

Shala shtoi se vlerësimi i integritet nuk është bërë si duhet, pasi kandidatëve iu është dhënë mundësi të flasin në mënyrë të përgjithshme e jo për raste specifike për të cilat njihen në publik, siç është ai i përzgjedhjes së prokurorit, Blerim Isufaj në krye të PSRK-së dhe akuza e ish-prokurorit, Elezaj Blakaj për ndërhyrje në rastin “Veteranët”. Ndërsa, edhe prokurori, Kujtim Munishi nuk ishte pyetur për rastin e veturës “Bently” dhe rastin e vrasjes së Sebahate Morinës.

“Sipas panelit vlerësues këta pesë kandidatë kanë marrë më së paku, 74 pikë, ndërsa më së shumti 98 pikë që është rasti i Blerim Isufajt. Nga monitorimi i koalicionit ka gjetur ky poentim i panelit vlerësues nuk është fare real për shkak se nga të metat që janë gjetur gjatë monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi dhe në raport me udhëzuesin për këtë proces është pothuajse e pamundur që këta kandidatë të arrijnë të marrim këtë numër të pikëve… Gjatë intervistave ne kemi parë një trajtim jo të barabartë që paneli vlerësues iu ka bërë kandidatëve, ka pasur kandidatë për të cilët paneli vlerësues përgjithësisht e ka pasur një preferencë më të madhe, ka pasur kandidatë të cilëve u janë bërë pyetje të veçanta, kandidatë që janë sfiduar edhe me nën pyetje dhe kandidatë të cilët nuk janë sfiduar me nën pyetje sikurse kandidatët e tjerë. Një çështje problematike dhe e fundit në këtë pjesë është edhe vlerësimi i integritetit të kandidatëve. Paneli vlerësues iu ka bërë vetëm pyetje të përgjithshme kandidatëve mbi integritetin duke iu lënë njëfarë diskrecioni kandidatëve nëse të njëjtit kanë integritet apo jo”, theksoi Shala.

Drejtoresha e organizatës FOL, Mexhide Demolli-Nimani u shpreh se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit kësaj radhe për dallim nga proceset të tjera është përcjell me një shkallë të lartë të transparencës.

“Sa i përket transparencës së procesit për dallim nga rastet e kaluara koalicioni këtë radhë ka pasur mundësi që të bëjë një monitorim të plotë dhe objektiv për faktin se KPK ka treguar një shkallë të lartë të transparencës përkitazi me këtë proces. KPK ka publikuar të gjithë koncept-dokumentin e kandidatëve, ka lejuar monitorimin direkt të intervistave si dhe ka transmetuar intervistat në televizionit publik”, theksoi ai.

Prokurorët të cilët kanë qenë kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit, i cili më pas tërhoq nga gara, Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndërsa, Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi i përfundon mandati më 21 prill të këtij viti. Mandati i Kryeprokurorit të Shtetit është shtatëvjeçar.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments