Nebojsha Rakiq (44) u arrestua para disa ditësh në Beograd me urdhër të lëshuar ndaj tij në vitin 2008 për vrasjen e Dragan Milovanoviqit dhe plagosjen e Aleksandër Vllahoviqit në lagjen Vrçin të Beogradit. I arrestuari Rakiq ka vite që fshihet në Brazil, ai është vetëm i fundit në serinë e kriminelëve nga kjo zonë që janë të lidhur me shtetin më të madh të Amerikës së Jugut.
Rakiq është vënë në pranga në Beograd dhe dyshohet se prej vitesh fshihet në Brazil. Kështu para disa vitesh, më saktësisht në vitin 2011, në mediat braziliane dolën informacione se F. G. ishte shtetas serb, për të cilin ishte lëshuar një urdhër në Serbi.
Parashikimi i motit, zbuloni si do jenë temperaturat gjatë ditës së sotme …
Supozohet se ishte Rakiq dhe siç shkruhej atëherë, ai drejtonte restorantin “Gringo” në qytetin brazilian Sao Vicente, ku ishte i martuar me një braziliane me të cilën kishte edhe një vajzë.
Rakiq nuk është serbi i parë që gjen strehë në atë vend dhe vetëm pak ditë më parë në Serbi u arrestuan edhe burrat e Zoran Jakshiqit, liderit të klanit “Amerika”, i cili aktualisht ndodhet në burg në Peru.
Ka qenë Jakshiq që u fsheh për një kohë në Brazil, ku u identifikua si njeriu kyç për kontrabandën e kokainës nga Amerika Latine në Evropë.
Mirëpo, duket se koha e artë, kur Brazili ishte parajsë e kriminelëve nga e gjithë bota, përfshirë edhe Serbinë, ka kaluar, sepse ai vend e ka hequr politikën e mosekstradimit. Këtë gjë e ka ndjerë në lëkurën e vet i dënuari për drogë Goran Neshiq nga Serbia, i arrestuar në atë vend në vitin 2013. Në të njëjtin vit, Serbia kërkoi ekstradimin e tij, sepse ai duhej të vuante dënimin me burg në Serbi. Autoritetet braziliane ranë dakord për ekstradimin, por vetëm pasi Neshiq kishte vuajtur dënimin në Brazil për trafik droge dhe pastrim parash.
Neshiq ishte i afërt me ekipin e Dejan Stojanoviq Kekës dhe në Brazil ai vazhdoi të merrej me të njëjtin biznes me të cilin merrej në Serbi – krimin dhe kontrabandën e kokainës. Ai jetonte në një vilë luksoze dhe kur u arrestua, u përhap informacioni se Dejan Stojanoviq Keka, kreu i një klani famëkeq, “ra” me të. Megjithatë, ai informacion nuk ishte i saktë.
Edhe pse Brazili e ka hequr politikën e mosekstradimit, tregtarët serbë të drogës po zgjedhin sërish atë vend sepse serbët kanë zhvilluar lidhje të mira me grupet kriminale në Amerikën e Jugut vitet e fundit.
Lidhjet e kokainës mes Brazilit dhe Serbisë u dëgjuan për herë të parë pas fushatës “Luftëtari Ballkanik”, që ishte preludi i rënies së klanit të kryesuar nga Darko Shariq. Nga hetimet u konstatua se ngarkesa e kokainës që u kap vinte nga Brazili.
Përveç Shariqit, për një kohë u spekulua edhe se ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Rodoljub Raduloviq, i njohur si Misha Banana, në të vërtetë gjeti strehë në Amerikën e Jugut.
Megjithatë, kudo ku ka një kartel kokaine serbo-malazez, ka edhe serbë dhe malazezë të vdekur dhe Brazili nuk bën përjashtim. Marjan Jociq (39) nga Zajeçari u gjet i vdekur në fillim të qershorit 2020 në Brazil.
Ndonëse kufoma ishte në gjendje të avancuar dekompozimi, plagët e plumbave ishin të dukshme dhe pranë tij u gjet një pasaportë, e cila u përdor për identifikimin e viktimës.
Doli se Jociq nuk ishte një turist që ishte viktimë e një grabitjeje, por një tregtar i dënuar droge, i cili u bë viktimë e një biznesi mizor dhe ishte i lidhur me kartelet ballkanike të drogës.
Policia braziliane zbardhi këtë vrasje, shtetasi kroat Luka Mariq u arrestua si autor i drejtpërdrejtë dhe porositësi ishte një bos brazilian droge që bashkëpunonte me kriminelët e Ballkanit. Është interesante se krimineli brazilian, qoftë për të shmangur policinë apo hakmarrje, falsifikoi vdekjen e tij, i ngriti vetes një gur varri dhe i dha vetes një nekrologji në gazetën lokale.