Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shqetësimin për vazhdimin e grevave në arsim, shkak i të cilave fëmijët nuk e nisën mësimin më 1 shtator, e ndajnë bashkërisht me prindërit, mësimdhënësit e të gjithë të tjerët.
“E di se sot shumë nxënës, për shkak të grevës së shpallur nga BSPK-ja nuk janë në klasat e tona, por jam e bindur se shqetësimin e ndajmë bashkërisht, bashkë me prindërit, bashkë me mësimdhënësit, me të gjithë të tjerët, andaj për qeverinë tonë arsimi është prioritet”, tha Nagavci.
Ministrja i bëri këto komente në fjalën e saj të rastit, gjatë ceremonisë së përurimit të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.
“Kemi bërë ndryshime, rezultatet e të cilave tashmë i kemi parë dhe kemi punuar e po angazhohemi çdo ditë”, shtoi ajo.