Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosova“Nuk duam të përdoremi nga askush për qëllime politike”, ja çfarë tha...

“Nuk duam të përdoremi nga askush për qëllime politike”, ja çfarë tha FIT-i në protestën e sotme

Njësia Speciale Intervenuese (FIT), ka protestuar përpara Qeverisë së Republikës së Kosovës për të shprehur pakënaqësitë e tyre.Kërkesat janë si në vijim: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet ne 50% te pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës” kanë thënë nga FIT.

ipas tyre, këto kërkesa janë absolutisht kërkesa ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme, andaj edhe kërkojnë mirëkuptim në këtë aspekt, duke theksuar se nuk dëshirojnë të shfrytëzohen për qëllime politike nga askush.

Ky është fjalimi i plotë i përfaqësuesit të protestuesve të sotëm:

I nderuar Kryeministër i RKS-ě.

Të nderuara media dhe qytetarë të RKS-së.

Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, sot jemi mbledhur para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë, si dhe mos përfshirjen në shtesa tjera të parapara me ligj.

Këto dy njësi janë të trajnuar dhe të përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare. Operatorët e këtyre njësive janë të specializuar dhe certifikuar në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve si dhe në rastet ku cenohet siguria Kombëtare përkatësisht janë të specializuar në trajtimin e kërcënimeve me eksplozivë dhe bomba, dhe për intervenime në situata ku rrezikshmëria vlerësohet të jetë ekstreme, prandaj jemi njësi Elite të Policisë së Kosovës.

Këto dy njësi janë të trajnuara nga akademitë dhe njësitë më prestigjioze në botë. Jemi të përgatitura dhe të barabarta me njësi elite të botës një gjë të tillë e dëshmon pjesëmarrja dhe suksesi në shumë operacione policore dhe gara ndërkombëtare në të cilat kemi treguar rezultate të shkëlqyera duke përfaqësuar Policinë dhe shtetin e Kosovës duke i sjellë medalje për rezultatet e arritura.

Këto dy njësi në kryerjen e detyrave të tyre gjithmonë kanë dëshmuar profesionalizëm te lartë ku nder vite kane realizuar me sukses operacione të shumta policore sidomos në pjesën më të ndjeshme të vendit duke mbrojtur vazhdimisht integritetin dhe sovranitetin shtetëror. Operacione këto me të cilat janë ndier krenar jo vetëm Policia e Kosovës por edhe të gjithë qytetarët tanë.

Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marrë premtime për benefitet të cilat na takojnë mirëpo deri me tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar.

Fillimisht arsyet e mos përmbushjes se kërkesave tona kanë qenë mungesa e Ligjit të Pagave, mirëpo edhe 9 muaj pas miratimit të këtij ligji, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona, përkundrazi ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë të cilën e kemi gëzuar që nga viti 2010, u ndalua e tëra.

Ne jemi unik në kërkesat tona sepse janë kërkesa legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Prandaj ftoj Kryeministrin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkret në realizimin e tyre.

I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë kërcënimet dhe rreziqet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrave zyrtare por edhe ne jetën private. E kjo është pikërisht për shkak të natyrës së punës të cilën ne e bëjmë. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona.

Ne e kemi dëshmuar vetën në shumë raste në të kaluarën dhe së fundi në neutralizimin e grupit terrorist me datë 24 shtator 2023, pra ne nuk zmbrapsemi asnjëherë pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara.

Prandaj edhe një herë kërkojmë nga ana e juaja që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe ti merrni parasysh kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe së bashku ti zgjidhim.

Kërkesat janë si në vijim:

1. Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve.

2. Rrezikshmëria të caktohet ne 50% te pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

Në fund, dua që të potencoj se kërkesat tona janë absolutisht kërkesa ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe ne nuk përfaqësohemi nga askush, prandaj kërkojmë edhe mirëkuptim në këtë aspekt pasi që jemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike.

Të nderuara media, ju falënderojmë për prezencën tuaj në protestë tonë, dhe shpresojmë të jeni një zë i fuqishëm i joni në adresimin e kërkesave tona legjitime.

Ne nuk do të ndalemi me kaq dhe për veprimet e mëtutjeshme do të njoftoheni me kohë.

Me këtë rast e shpallim të mbyllur protestën e sotme. Ju faleminderit!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments