FC Drita ka mbajtur konferencën e rradhës për media një ditë para ndeshjes së 12-të kampionale ndaj KF Malisheva, takim që zhvillohet nesër në ora 13:00.
Për përgatitjet e ndeshjes foli kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.
Nuhiu theksoi se ndeshja do seriozitet të plotë, ndërsa kërkoi nga futbollistët e tij të tregojnë kualitetin që kanë.
“Kam respekt për kundërshtarin, skuadër që ka treguar se mund të befasojë çdo skuadër. Ndeshjës do t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Jam i lumtur me fitoren e fundit dhe me formën e skuadrës”.
“Kundërshtari nesër do respekt dhe e kemi ndjerë edhe në lëkurën tonë në ndeshjen e parë se sa me vështirësi e kemi fituar takimin. Do të kërkojë nga futbollistët që të dalin tek vetvetja dhe të mundohen të luajnë mënyrën e lojës që ne kërkojmë”.
Nuhiu u pyet nëse tashmë skuadra është vendosur në binarë për vazhdimësinë e kampionatit.
“Ka qenë çështje kohe sepse kemi pasur ndryshime të shumta dhe përvec ndryshimeve kemi pasur edhe mungesa. Kam potencuar gjithmone se skuadra po mbrohet mirë, por na mungon krijimtaria në pjesën finale, ngase na kanë munguar sulmuesit”.
“Tani më vjen mirë që sulmuesit janë kthyer, të cilët përveç që janë kthyer po ndihmojnë skuadrën me gola dhe kanë marrë formën e tyre të duhur. Kam besim se nga ndeshja në ndeshje do të jemi mirë e më mirë dhe duke u njohur futbollistët njëri me tjetrin, mendoj që do të performojnë edhe më mirë pas çdo ndeshje”, përfundoi Nuhiu.