Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kthehen me kapacitet të plotë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, përmes një emisari të posaçëm që do të angazhohet në bisedime, raporton Novosti.
Sipas spekulimeve jozyrtare në burime diplomatike, dy kandidatë janë parë deri më tani për atë rol trasmeton Gazeta Express lajmin e publikuar në Novosti.
I pari është Matthew Palmer, i cili tashmë është i angazhuar në rajon si Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit e Përfaqësues Special i SHBA për Ballkanin Perëndimor.
Tjetra është Molly Montgomery, e cila kohët e fundit u emërua Zëvendës Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.
Palmer merret me Ballkanin për 25 vjet, derisa, atij iu dha detyra si i dërguar special për rajonin gjatë administratës së Donald Trump.
Palmer po punon ngushtë me emisarin e BE-së Miroslav Lajcak. Të dy u takuan së fundmi në Bruksel, pas të cilit takim Palmer tha se “qëllimi i të gjitha administratave amerikane është të përfundojnë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje për njohjen reciproke”.
Lajcak dhe Palmer për dy ditë do të qëndrojnë në Kosovë, ku edhe gjatë ditës së nesërme së bashku do të ju drejtohen mediave.
Nga ana tjetër, emërimi i Molly Montgomery, e cila më parë ishte e angazhuar në departamentin e konsulencës Madeleine Albright, në një pozicion në Departamentin e Shtetit, hedh dritë të re mbi politikën e administratës së Biden ndaj Kosovës.
Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Matthew Palmer dhe i Dërguari Special i BE për Dialog Miroslav Lajcak pas takimeve me zyrtarët e shtetit në Kosovë do të vizitojnë edhe Beogradin.
Këto takime do të zhvillohen para raundit të bisedimeve në Bruksel që do të zhvillohet me 14 ose 15 qershor