Kandidati për kryetar të komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku nuk ka asnjë pengesë juridike për t’i hyrë kësaj gare, kështu po konstaton njohësi i çështjeve kushtetuese, Përparim Gruda.
Gruda ka thënë se Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se “ndalohet kandidimi për çdo kandidat për deputet i cili ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit”, kurse askund nuk theksohet fjala kandidat për kryetar komune apo asamblist.
“Sa i përket rastit konkret, mundësisë për me kandidua zotëri Lushtaku për kryetar të Skenderajt, nuk ka pengesa juridike për ta bërë këtë. Ai mund të kandidojë për kryetar të komunës edhe pse ka një vendim gjyqësor për dënimin e tij sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit të kaluar nuk i përfshinë kryetarët e komunave, nuk i përfshinë zgjedhjet lokale. Dispozitivi i aktgjykimit është shumë i qartë thotë ‘ndalohet kandidimi për çdo kandidat për deputet i cili ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit’. Dispozitit është shumë i qartë përdorë fjalën deputet”.
“Nëse këtë do të vendoste KQZ-ja ta interpretojë sikur vlen edhe për kryetarë komunash e asamblistë, mendoj që do të ishte një arbitraritet. Në këto rrethana mendoj që Lushtaku nuk ka asnjë pengesë juridike për të kandiduar, dhe kushdo tjetër. Sepse ne po flasim për një rast konkret që ka dalë por mund të ketë edhe të tjera të dënimeve për çështje të caktuara, personave të cilët potencialisht mund të jenë në garë për zgjedhje lokale”, është shprehur ai.
Tutje njohësi i çështjeve kushtetuese, ka thënë se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është konfuz dhe i paqartë, që paraqet edhe standarde të dyfishta.
Sipas Grudës nuk duhet të ketë standard tjetër për fitimin e mandatit dhe tjetër për humbjen e tij.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është jashtëzakonisht konfuz dhe në shumë pjesë i paqartë. Në Kushtetutë e kemi standardin që humbja e mandatit të deputetit bëhet në rrethanat kur ai dënohet me burg efektiv. Në ligjin për zgjedhjet e keni nëse dënohet me çfarëdo lloj dënimi nuk mund të kandidojë. Nuk mund të ketë situatë kur ka standard të ndryshëm për ta humbur mandatin e deputetit dhe standard tjetër për të konkurruar për deputet”.
“Kjo i bien që për të kandidua mjafton të kesh një vendim dënim me gjobë dhe kjo mund të bëhet pengesë për me kandidua. Por në qoftë se ti nuk ke pasur një dënim të tillë dhe ke arritur të bëhesh anëtar i Kuvendit-deputet, masandej edhe nëse dënohesh me gjobë nuk e humbet mandatin sepse Kushtetuta e thotë në mënyrë shprehimore që mandati humbet vetëm kur dënohesh me vendim gjyqësor që parashikon burg efekti”. ka përfunduar Gruda për EO.