Lista Serbe një vit më parë vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe komunat në veri të vendit. Dorëheqje dhanë pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë në këto komuna. Pak ditë pas vendimit, u betuan nëntë deputetë të rinj të Listës Serbe, të cilët vazhdojnë të paguhen pa ardhur në Kuvendin e Kosovës. Deputetë të opozitës thonë se kjo parti ka qenë kreatorja e të gjitha tensioneve që pasuan gjatë këtij viti. Ata kërkojnë nga institucionet që të ndërmerren masa ndaj tyre dhe pjesëtarëve të dorëhequr mos t’u mundësohet rikthimi në institucionet publike. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Lista Serbe nuk e ka më fuqinë politike dhe besimin e qytetarëve serbë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci thotë për KosovoaPress, se veriu asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë sovranitet. Ai thotë se ata që kanë hequr uniformat e Kosovës, nuk mund të kthehen të shërbejnë më në Policinë e Kosovës.
Teksa deputeti i shumicës parlamentare deklaron se në veri ka shtrirje të sovranitetit, me një gjë të tillë nuk po pajtohet opozita.
Pas vendimit të Listës Serbe për largimin nga institucionet e Kosovës, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thekson se përgjatë një viti ka pasur tensione në veri, e po ashtu edhe akt të agresionit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Ai shton se asnjë polic i cili ka dorëzuar uniformën e Policisë së Kosovës nuk duhet të kthehet në punë.
E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj thekson se deputetët e Listës Serbe nuk kanë përgjegjësi ndaj votës së qytetarit por ndaj politikave serbe.
Vendimi i Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës erdhi pas vendimit për suspendim të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Ky i fundit kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e institucioneve të Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS, të Republikës së Kosovës.