Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë për qytetarin në Prizren i cili ka kanosur babain e tij.
Masa e paraburgimit do të llogaritet prej kohës së arrestimit 29.05.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 29.06.2021, ndaj të pandehurit A.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: kanosjes nga nenin 181 par.4 e lidhur me par.2 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
“Me datën 29 maj, në orët e pasdites, në Prizren, saktësisht në banesën e tyre të përbashkët familjare, i pandehuri A.P., seriozisht e kanosë të dëmtarin-viktimën e ndjeshme – babanë e tij, me fjalë vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit tek i dëmtuari – babai i tij, në atë mënyrë që si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, i pandehuri A.P., i drejtohet me fjalët kanosëse të dëmtuarit “kam me të vra ty dhe gjithë familjen dhe dil prej banesës, se kjo banesë është e imja”, ku më pas i dëmtuari nga frika del nga banesa që të qetësohet situata dhe mbas dy ore pasi kthehet në banesës, vëren se i pandehuri i kishte demoluar disa gjëra të shtëpisë, i pandehuri përsëri në vazhdimësi i drejtohet të dëmtuarit me fjalë “do të vras, lirojë banesën”, ku i dëmtuari nga frika largohet nga banesa dhe lajmëron rastin në polici, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri”, thuhet në njoftimin për media.
Poashtu u theksua se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, të kaluarën e tij kriminale, gjë që vërtetohet edhe nga raporti i Policisë, ashtu që tregon se i njëjti po të lihet në liri mund të përsërisë veprën penale ose të përfundoj veprën me të cilin është kanosur.
“Nga të lartë cekurat, gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe për sigurimin e pranisë së të pandehurit para institucioneve të drejtësisë”, theksohet tutje nga Gjykata në Prizren.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.