Vaksinimi është e vetmja mënyrë e sigurt për mbrojtje nga virusi Sars-Cov-2 i cili edhe ka shkaktuar pandeminë me të cilën po përballet e gjithë bota. Ky është konstatimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Agjencisë Federale Amerikane të Barnave (FDA) dhe agjencive të tjera nëpër botë.
Një studim i kryer nga Pfizer dhe i publikuar vetëm para pak ditësh ka gjetur se vaksina anti-covid e Pfizer krijon një mbrojtje mbi 95 % nga virusi. Kjo ka bërë që shtete të ndryshme ta aprovojnë edhe marrjen e dozës së tretë.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë nga virusi Sars-Cov 2 kanë vdekur 2 mijë 974 qytetarë, derisa aktualisht numri i rasteve të vdekjes ka rënë ndjeshëm, marrë parasysh edhe faktin se janë dhënë 1 milion e 525 mijë e 230 doza.
Numri i madh i personave të vaksinuar e të cilët kanë fituar edhe imunitet ka bërë që të bien ndjeshëm edhe infetkimet e reja. Aktualisht në Kosovë janë vetëm 481 raste aktive.
Megjithatë këto shifra zyrtare nuk bindin një grup të vogël qytetarësh në Kosovë, të cilët vazhdojnë të bëjnë fushatë kundër vaksinimit pa kurrfarë argumenti apo fakti shkencor.
Të njëjtit sot kanë zhvilluar një aksion para objektit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke bërë thirrje që qytetarët të mos vaksinohen. Të njëjtit madje kanë krahasuar ish-ministrin Arben Vitia me Heinrich Himmler të partisë Naziste të Hitlerit.