Tre gjyqtarë të Dhomave të Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale janë caktuar për t’u marrë me ankesën e Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit.
Dy krerët e OVL-së së UÇK-së përmes avokatëve të tyre kanë dërguar mocione me pesë pika mbi gabimet që ata pretendojnë se kanë evidentuar në aktakuzën kundër tyre, shkruan lajmi.net.
Kësisoj, Gjykata ka caktuar tre gjyqtarë të Apelit që të merren me çështjen e ngritur nga Haradinaj e Gucati. Paraprakisht, kërkesa e tyre është pranuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, i cili ka nënvizuar se të pesë çështjet e ngritura, janë material që të lihen në Dhomat e Posaçme të Apelit, dhe një vendim nga kjo instancë do të ndikonte në zhvillimin më të drejtë dhe të shpejtë të procedurës.
Gjyqtarë për këtë rast janë caktuar Michele Picard, Kai Ambos dhe Emilio Gatti.
Michele Picard (Francë) është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që prej qershorit 2013. Nga 2008 deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Nga 2007 deri më 2008, u emërua anëtare e Panelit Këshillues për Të drejtat e Njeriut në Kosovë dhe gjatë periudhës 1996-2003 ajo kryesoi Dhomën për Të drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë.
Më 2005, ajo u emërua eksperte e pavarur për Gjendjen e Të drejtave të Njeriut në Uzbekistan. Ajo gjithashtu punoi për Këshillin e Evropës si eksperte për projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Gjykatësja Pikar është e diplomuar si juriste nga Universiteti i Parisit. Më 1992, ajo kreu shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).
Gjykatësi Emilio Gati (Itali) punon që nga viti 2010 si prokuror publik në gjykatën e qarkut në Gjenovë (Genova). Nga vitit 2001 deri më 2008 ka qenë gjykatës për çështje penale në qarkun e Gjenovës dhe gjatë periudhës 1985-2001 ka punuar fillimisht si gjykatës për çështje penale e më pas si prokuror publik në gjykatën e qarkut të Savonës. Nga 2008 deri më 2010, ai punoi për EULEX-in në Kosovë si gjykatës për çështje penale.
Gjykatësi Gati është diplomuar si jurist në Universitetin e Gjenovës (Itali). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare, të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës së trashëgimisë kulturore
Kai Ambos (Gjermani) ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji 2003.
Më 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai ka punuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Që nga marsi 2006, gjykatësi Ambos ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen prej së cilës u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschëeig) për vitin 2015.
Gjykatësi Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në universitetin e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, dhe në atë të Oksfordit (Britani e Madhe), e Mynihut (Gjermani). Më 1990 kaloi provimin e parë shtetëror dhe më 1994 provimin e dytë shtetëror që i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit. Më 1992, gjykatësi Ambos u doktorua dhe më 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar (të dyja nga Universiteti i Mynihut). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.
Ankesat e Gucatit dhe Haradinajt janë të përmbledhura në pesë pika dhe kanë këtë përmbajtje:
1 . Nëse Gjyqtari i Procedurës Paraprake gaboi kur gjeti se Aktakuza e Konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e bashkëkryerësve, duke pasur parasysh kërkesën për të dhënë në aktakuzë sa më shumë detaje sa të jetë e mundur në lidhje me identitetet e çdo bashkëkryerësi të pretenduar.
2 . Nëse Gjyqtari i Procedurës Paraprake gaboi kur gjeti se Aktakuza e Konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e bashkëpunëtorëve, duke pasur parasysh kërkesën për të dhënë në aktakuzë sa më shumë detaje sa të jetë e mundur në lidhje me identitetin e çdo bashkëpunëtori të pretenduar.
3.Nëse gjykatësi paragjyqësor gaboi duke gjetur se aktakuza e konfirmuar nuk ishte me të meta në mungesë të të dhënave të tjera për identitetin e personave të asistuar ose të nxitur, duke pasur parasysh kërkesën për të siguruar në padi sa më shumë detaje të jetë e mundur në lidhje me identitetin e ndonjë personi të asistuar ose të nxitur.
4.Nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi kur zbuloi se nuk ishte një defekt në Aktakuzën e Konfirmuar për të përdorur formulën “dhe / ose” për t’iu referuar në mënyrë alternative bashkëkryerësit të akuzuar, pa emër ose bashkëpunëtorë pa emër kur atribuimi i veprimeve të pretenduara të ndërmarra, duke pasur parasysh kërkesën që nuk duhet të përdoren formulime të cilat krijojnë paqartësi për sa pretendohet përgjegjësia e të akuzuarit.
5.Nëse Aktakuza e Konfirmuar është me defekte në atë që pretendon Veprime “të panjohura” të cilat gjoja “mund” të kenë ndodhur pas “të njohurave” , veprime të cilat dyshohet se kanë ndodhur, duke pasur parasysh kërkesën që deklaratat e hapura në lidhje me faktet që mbështesin akuzat nuk janë lejohen, përveç nëse ato janë jashtëzakonisht të nevojshme, gjë që nuk është pohuar.