Pas emërimit si zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC).
Ai në një status në Facebook ka shkruar se pas 21 vjet në krye të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) jep dorëheqje nga kjo detyrë, ndërkohë që Bordi ka emëruar për ushtrues detyre kolegun e tij, Petrit Tahiri.
“Falënderoj kryeministrin Albin Kurti dhe ministren Arbërie Nagavci për besimin dhe zotohem se do të punoj me gjithë energjinë për përmirësimin e gjendjes në sektorin e arsimit dhe kërkimit. Jam i vetëdijshëm për të gjitha sfidat e këtij rrugëtimi dhe mirëpres çdo ide dhe ndihmë për adresimin e problemeve komplekse në këtë fushë”, ka shkruar Pupovci.