Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeNis protesta për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”, Rama ka vendosur ta...

Nis protesta për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”, Rama ka vendosur ta shndërrojë përfundimisht në bulevard

Disa qytetarë të Prishtinës kanë dalë në rrugën e transformuar në shesh, “Xhorxh Bush” për të protestuar në kërkim të hapjes së saj, një ditë pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama zbuloi projektin për shndërrimin e kësaj zone në bulevard, raporton T7.

Protesta është thirrur nga faqja “Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë” në Facebook, ku raportohen problemet e ndryshme të kryeqytetit.

Rruga “Xhorxh Bush” është shndërruar në hapësirë për këmbësorë dhe vijon të jetë e mbyllur për autobusë dhe vetura.

“Pas mbylljes së rrugës, kemi përballuar një problem të vazhdueshëm me trafikun dhe kollonat e gjata që kanë shkaktuar ndërprerje në qarkullim. Protesta jonë është e organizuar në mënyrë paqësore dhe e ligjshme për të shprehur nevojën tonë për të hapur këtë rrugë të rëndësishme për qytetarët e lagjes”, thonë organizatorët.

Rama tha të shtunën se rruga “Xhorxh Bush” do të shndërrohet “në një hapësirë urbane bashkëkohore e cila reflekton nevojat e qytetarëve, promovon një stil të jetës së shëndetshme, me shumë gjelbërim dhe ajër të pastër”.

“Duke qenë i tillë, projekti do të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm. Me materiale të qëndrueshme e gjelbërim, sheshi do t’i mundësojë Prishtinës të merr frymë dhe do të stimulojë njerëzit të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit”, shkroi ai.

“Bulevardi do të jetë përplot jetë dhe ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme për të gjitha moshat. Gjithashtu do të ketë hapësirë për artistët që të krijojnë një Prishtinë të transformueshme. Pjesa e Katedrales, për momentin është e rrethuar me një mur të vogël dhe ne kemi propozuar që të hapet dhe të jetë e qasshme për të gjithë, në mënyrë që të mos t’i shohim këto monumente të rrethuara dhe të mos jenë të cenueshme për qytetarët”, thotë kryetari i kryeqytetit.

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments