Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaNënstacioni elektrik në Vallaç, fushëbeteja e Serbisë me Kosovën

Nënstacioni elektrik në Vallaç, fushëbeteja e Serbisë me Kosovën

Nënstacioni elektrik në Vallaç është aset i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), është i vjetër si nënstacion dhe ka nevojë që të rehabilitohet, deklarojnë zyrtarët e KOSTT-it.

 

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Zyrtarët e KOSSTT-it i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se “për të rritur sigurinë dhe besueshmërinë e operimit të këtij nënstacioni, si dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike të palëve të kyçura, KOSTT ka planifikuar revitalizimin e nënstacionit dhe ndërrimin e pajisjeve të tensionit të lartë 110 kV në nënstacionin Vallaç”. Megjithatë, KOSTT-i nuk ka dhënë detaje se kur mund të realizohet revitalizimi i planifikuar dhe në çfarë mënyre.

Por, Rrjeti Elektrik i Serbisë ka thënë se çështja e energjetikës në veri të Kosovës nuk është vetëm çështje energjetike, por edhe çështje komplekse politike dhe juridike, si dhe është edhe objekt negociatash.

Kush i paguan punëtorët në Vallaç?
Zyrtarët e KOSTT-it kanë theksuar se operatorët, si në të gjitha nënstacionet 110/35 kV, janë punëtorë të KOSTT-it. Por, megjithatë, ky institucion ka theksuar që nuk ka informacion kush i paguan aktualisht operatorët në nënstacionin Vallaç.

Por, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Rrjeti Elektrik i Serbisë ka thënë që punëtorët në nënstacionin Vallaç marrin pagë nga ta.

“Janë të punësuar për një kohë të pacaktuar në Rrjetin Elektrik të Serbisë (Elektromrezha Srbije), janë shtatë dhe nuk marrin rrogë nga buxheti i shtetit, por nga punëdhënësi, gjegjësisht kompania Rrjeti Elektrik i Serbisë”, thuhet në përgjigje.

Çështja për nënstacionin e Vallaçit u riaktualizua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, më 5 nëntor, ka deklaruar se pret që autoritetet e Kosovës së shpejti do të provojnë të marrin në kontroll nënstacionin elektrik të Vallaçit në veri të Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është e mundshme të ndodhë që nga 6 nëntori.

Vuçiq ka shtuar se Prishtina do ta zgjedhë momentin kur do ta bëjë këtë, por ai e ka lutur atë që të mos e bëjë këtë, me tone që nënkuptojnë se Serbia do të reagojë, pa e përcaktuar se si.

Deklarata të ngjashme Vuçiq kishte bërë edhe më herët.

Deri më tash, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë komentuar deklaratat e Vuçiqit. Por, këto deklarata të presidentit serbe nga ish-ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri po vlerësohen si nxitëse dhe provokuese ndaj Kosovës.

Edita Tahiri, ish-ministre për Dialog e Qeverisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja e Brukselit për energjinë e arritur në dialogun Kosovë-Serbi, e bën të qartë që në pjesën veriore të vendit vendoset sistemi energjetik i Kosovës, sipas ligjeve të saj, përfshirë edhe nënstacionin e Vallaçit.

Deklaratat dhe pretendimet e autoriteteve të Serbisë që ndërlidhen me këtë nënstacion elektrik, sipas Tahirit, përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë, janë provokime të qëllimshme që kanë prapavijë gjeostrategjike dhe stimulojnë idenë për ndarjen e Kosovës.

“Mendoj se është në kuadër të përpjekjeve provokuese dhe destabilizuese të Vuçiqit dhe Serbisë, për të inskenuar tensione apo konflikte eventuale në veri. Si prapavijë ka përpjekjet që sa më shumë veriu të mbahet nën tensione – siç e pamë edhe me rastin e zbatimit të Marrëveshjes për targa – dhe kjo përpjekje, çon drejt asaj që në një mënyrë apo tjetër, veriu të vendoset nën një protektorat, në mënyrë që në fazën finale të bisedimeve, Serbia të provojë skenarët e prekjes së kufijve, siç i ka provuar edhe më herët në vitet 2018 dhe 2019”, theksoi Tahiri.

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka theksuar se heshtja e institucioneve të Kosovës ndaj deklaratave provokuese të presidentit serb, Vuçiq, lidhur me nënstacionin e Vallaçit, është e çuditshme. Sipas tij, në situata të tillë, institucionet duhet të vërtetojnë ose të hedhin poshtë deklaratat e tilla, e të cilat ai i vlerëson si shumë serioze.

“Nëse presidenti Vuçiq ka dëshiruar që ta provokojë situatën, atëherë edhe ky tentim duhet ta marrë përgjigjen institucionale të Kosovës. Por, nëse vërtetë informatat konfideciale për një projekt të tillë kanë dalë nga institucionet më të larta të Kosovës, atëherë ky është një problem jashtëzakonisht i madh dhe që kërkon një trajtim me urgjencë nga të gjitha institucionet e sigurisë së Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Cila është rëndësia e nënstacionit elektrik në Vallaç?
Zyrtarët e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nënstacioni në Vallaç është aset i këtij operatori.

Sipas zyrtarëve të KOSTT-it, në Vallaç është një nënstacion lokal i rëndësisë së njëjtë për shpërndarjen e energjisë elektrike me nënstacionet distributive në pjesë tjera të Kosovës. Ai është ndër nënstacionet e para të ndërtuara në Kosovë në Sistemin e Transmetimit dhe është i lidhur me pesë linja të tensionit të lartë 110 kV (kilovolt): me nënstacionin Trepça, nënstacionin Skënderaj, nënstacionin në Ujman, nënstacioni Ilirida (Mitrovicë) dhe nënstacioni Palaj (në afërsi të Prishtinës), si dhe nënstacioni Novi Pazar 2 (linjë interkonektive Kosovë-Serbi).

Megjithatë, siç thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Radion Evropa e Lirë, operimi i nënstacionit Vallaç “ka rol në sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike për palët e kyçura në këtë nënstacion në kuadër të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës, veçanërisht për konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës përfshirë hidrocentrali i Ujmanit”.

“Gjithashtu, ky nënstacion është i rëndësishëm për shkëmbimin fizik të energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes linjës interkonektive 110kV Vallaç-Novi Pazar. Stabilimentet 110kV në këtë nënstacion mundësojnë lidhjen fizike të rrjetit të transmetimit të pjesës veriore të Kosovës me pjesën tjetër të rrjetit të transmetimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Në anën tjetër, sipas KOSTT-it, i gjithë konsumi i energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të mos paguhet dhe humbjet e akumuluara nga konsumi në veri për periudhën janar-tetor të vitit 2021 janë 251 GWh (gigavat në orë).

Vetëm këtë vit, humbjet nga energjia elektrike e shfrytëzuar, por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, pritet të ketë kosto financiare mbi 20 milionë euro për shkak të rritjes së çmimit të energjisë në treg.

Në maj të këtij viti, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve të KOSTT-it në veriun e Kosovës, ndërkaq që së fundmi janë ndarë edhe 6.7 milionë euro të tjera për të njëjtin qëllim.

Në anën tjetër, Elektro-rrjeti i Serbisë (EMS) e vlerëson nënstacionin në Vallaç si pjesë të tij, ndërkaq që edhe pagesën e punëtorëve të angazhuar në këtë nënstacion e realizon EMS-ja.

Kështu kishte reaguar EMS-ja në dhjetor të vitit 2020, kur KOSTT-i kishte filluar të operojë si i pavarur, pasi që në qershor të po atij viti, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) i dha Kosovës pavarësi dhe sovranitet të energjisë elektrike në rrjetin e saj elektrik.

Por, praktikisht, operatorët e Kosovës nuk mund të sigurojnë prezencën e kompanisë së furnizimit dhe shpërndarjes në Vallaç, në mënyrë që ta marrin në kontroll këtë nënstacion.

“Qeveria të ketë qasje të kujdesshme”
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson që institucionet e Kosovës kanë të drejtë të plotë morale dhe shtetërore që të ndërmarrin hapa për normalizimin e gjendjes në atë pjesë, marrë parasysh edhe Marrëveshjen e Brukselit për energjinë, e cila sipas tij nuk është zbatuar nga Serbia. Por, ndërmarrja e hapave eventualë nga autoritetet e Kosovës për të vënë nën kontroll nënstacionin në Vallaç, sipas tij është mjaft delikate.

“Përgjegjësia e institucioneve të Kosovës është që të kërkojnë dhe realizojnë një zgjidhje afatgjate, e cila nuk do të krijonte probleme të shumëfishta në vazhdimësi sesa të bënin ndonjë spektakël afatshkurta, i cili do të ishte i dëmshëm për institucionet e Kosovës dhe për gjendjen në përgjithësi në atë rajon”, theksoi Muhaxhiri.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për të marrë një reagim lidhur me deklaratat e Vuçiqit që kanë të bëjnë me nënstacionin e Vallaçit. Por, deri më tash, nuk ka marrë përgjigje.

Deri më tash, lidhur me deklaratat e Vuçiqit për nënstacionin Vallaç, nga autoritetet e Kosovës ka reaguar vetëm Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Në llogarinë e tij në Twitter Vela ka publikuar hartën e sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës, duke thënë që “zyrtarët qeveritarë serbë po shpërndajë informacione të rreme dhe po kërcënojnë se do të përdorin forcë sikur Vallaçi të ishte aset i tyre. Është e qartë që nuk është i tyre, është i Kosovës”, ka shkruar Vela.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments