Në Shkup është nënshkruar dje një Memorandum Mirëkuptimi në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ShA ESM (Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut – EMV).
Përmes këtij memorandum, palët janë pajtuar që të shqyrtojnë të gjitha opsionet e disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike, pra Kosova do t’i jepte Maqedonisë së Veriut qymyr meqë ka rezerva të mëdha, e në këmbim do të merrte energji elektrike.
“Palët synojnë të fokusohen në shqyrtimin e të gjitha opsioneve të disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike”, thuhet në njoftimin e KEK.
Palët janë pajtuar edhe që të përgatisin plane të përbashkëta për tejkalimin e situatave të jashtëzakonshme energjetike dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Në njoftimin e KEK thuhet se ky Memorandumdo të ndikoj pozitivisht në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike për të dyja vendet.
“E gjithë kjo me qëllim të sigurimit të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e KEK.
Negociatat e gjata me Maqedoninë e Veriut
Interesim për blerje të thëngjillit, Maqedonia e Veriut kishte shfaqyr qysh në fund të vitit 2021. Kishin nisur edhe negociatat për këtë punë.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi ishte takuar me homologen kosovare, Artane Rizvanolli dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, për të diskutuar për këtë punë.
Përmes një postimi në Facebook, Bekteshi kishte thënë se kanë filluar negociatat për importimin e thëngjillit nga Kosova..
“Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike! Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim! Shpresoj që pas shqyrtimit të të gjithë kapaciteteve dhe nevojave të të dyja vendeve të arrijmë deri te një marrëveshje konkrete me çka do të ndikojë drejtpërdrejt në tejkalimin e krizës energjetike në të dy vendet”, kishte shkruar Bekteshi.
Çka parashihet me Memorandumin e nënshkruar?
Bashkëpunimi ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ShA ESM (Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut – EMV) do të jetë në formën:
• Shkëmbimit të njohurive dhe përvojës në lidhje me diversifikimin e teknologjive për prodhim,
• Palët synojnë të fokusohen në shqyrtimin e të gjitha opsioneve të disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike.
• Bashkëpunimin profesional, sigurimin e shkëmbimit sa më efikas të energjisë dhe burimeve në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike përmes optimizimit të prodhimit.
• Përgatitjes së planeve të përbashkëta për tejkalimin e situatave të jashtëzakonshme energjetike dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
E gjithë kjo me qëllim të sigurimit të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë vende fqinje që kanë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunojnë në një sërë fushash. Duke qenë se kanë sisteme të ndërlidhura energjetike, të dy vendet do të përfitonin nga një bashkëpunim më i gjerë, veçanërisht nëse merret parasysh se përdorin teknologji të ndryshme për prodhim.
Ministria e Ekonomisë së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 16 shtator 2021, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për sektorin energjetik, dhe me këtë Memorandum mirëkuptimi ndërmjet ShA ESM (CEMV) dhe KEK-ut, do të krijohet një bazë shtesë për bashkëpunim afatgjatë me qëllim të përmirësimit të sigurisë energjetike dhe sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji.