Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaNeni në Projekt Kodin Civil që flet për bashkësitë civile të sekseve...

Neni në Projekt Kodin Civil që flet për bashkësitë civile të sekseve të njëjta do të riformulohet

Neni në Projekt Kodin Civil që flet për bashkësitë civile të sekseve të njëjta do të riformulohet, para se të dërgohet sërish në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, thotë se në grupin punues për Kodin Civil do të punohet në mënyrë që nenet tu përgjigjen nevojave adekuate dhe realizimit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut të përcaktuara në Kushtetutë.

“Kodi Civil nuk e ka marrë miratimin sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Tash na mbetet që pasi ta jap vendimin Kuvendi për mosmiratimin e këtij Kodi të mblidhemi si grup punues me ekspertë të fushës dhe të diskutojmë për nenin e caktuar. Besoj që brenda një kompromisi të caktuar do të ketë një riformulim të këtij neni të caktuar dhe mbi bazën e kësaj do të dërgohet Kodi Civil në Kuvend për të marrë miratimin e duhur sepse duhet të dini një gjë: ky Kod është jashtëzakonisht i rëndësishëm, përbëhet prej 1630 neneve të ndarë në pesë libra. Pjesa e përgjithshme, detyrimet, e drejta pronësore dhe të drejta të tjera si familja dhe trashëgimia. Pra, secili nen, secila dispozitë e këtij Kodi prek në thelb të drejtat e qytetarit dhe të njeriut në Republikën e Kosovës. Prandaj, ne do të fokusohemi që të gjejmë një zgjidhje adekuate për të dërguar pra sërish Kodin në Kuvend për të marrë miratimin e duhur”, tha Sallahu në emisionin n’Fokus në T7.

S’ka pasur kundërshtime në grupin punues sepse kanë punuar ekspertë si vendorë gjyqtar ndërkombëtar por edhe ekspertë të Bashkimit Europian. Ka punuar një eksperte e cila ka punuar edhe në Kodin Civil të Gjermanisë dhe ka qenë një dakordim i plotë që bashkësitë civile të vendosen në nenin 1138, dhe si rrjedhojë e saj pra të nxirret një ligj i veçantë ku e lejon më pastaj realizimin dhe regjistrimin e kësaj bashkësie në institucione adekuate. Fillimisht ky ka qenë vetëm një afirmim prej Kushtetutës drejt ligjit, sepse siç e dini ligji për familjen aktualisht e ndalon bashkësinë civile dhe tash kemi ardhur në një përfundim që duhet të ketë një afirmim shtesë brenda këtij Kodi më pastaj për tu nxjerr një ligj i ri i cili e përcakton qartë, pra mënyrën, e realizimit dhe ekzekutimit të këtij koncepti apo instituti juridik i cili tashmë është zhvendosur në Kod Civil dhe pritet të nxirret një ligj i veçantë në të ardhmen për të realizuar, pra në plotni këtë koncept”, tha Sallahu.

“Ne do t’i mbledhim të gjitha grupet punuese, mblidhen edhe përfaqësuesit e Ambasadave të Britanisë së Madhe që kemi një punë dhe një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, ambasadën e SHBA’së, zyrën e BE’së dhe përfaqësuesit e tjerë të shoqërisë civile për të dakorduar dhe riformuluar një nen i cili i përgjigjet nevojave adekuate dhe realizimit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut të përcaktuara në Kushtetutë dhe siç e dini liritë dhe të drejtat e njeriut janë të panegocueshme dhe të patjetërsueshme dhe si të tilla duhet t’i respektojmë të gjithë”, shtoi ai.

Emisionin e plotë mund ta shihni KËTU.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments