Dorëheqje jo. Zgjedhjet e reja të kërkohen me peticion dhe kriminelët të arrestohen ose të largohen nga vendi. Këto mbesin kërkesat e kryeministrit Albin Kurti për shtensionimin e situatës në veri. Ai dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak diskutuan gjatë dje në një takim që u konsiderua pozitiv. Diplomati europian tha se duhet të flasin ende për hapat konkretë që duhet të merren.
Kërkesa e Bashkimit Europian për kryeministrin Albin Kurti nuk ka ndryshuar, tri pikat e planit për shtensionimin e situatës janë aty dhe me të njëjtat duket se erdhi dje në Kosovës edhe emisari europian, Miroslav Lajçak, i cili sot gjendet në Beograd.
Lajçak pas takimit me Kurtin tha se janë pajtuar për t’i vazhduar diskutimet për shtensionimin e situatës në veri. Ai e cilësoi “të gjatë, të sinqertë e shumë të rëndësishëm” diskutimin me kryeministrin e Kosovës, me të cilin tha se patën një mirëkuptim.
“Duhet t’i zgjedh fjalët, ka mirëkuptim në nevojën për të ecur para në tri pikat që janë paraqitur nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja, dhe kthim në normalizim. Ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapat konkretë që duhet të merren. Ai ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të miat. Takimi i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë, por jemi pajtuar të vazhdojmë”, tha Lajçak të martën para gazetarëve, pa deshur të flasë për masat ndëshkuese.
“Është e qartë që BE-ja nuk është e lumtur që është në pozitën të prezantojë masa”, tha ai.
Edhe Kurti i dha një cilësim të mirë takimit me Lajçakun, për të cilin foli sot në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
“Takimi i djeshëm, për bindjen time ka qenë pozitiv. Me aso përshtypje ka dalur nga takimi edhe emisari europian, Lajçak. Do të ketë edhe takim me zëvendësin tim e me kryenegociatorin Besnik Bislimi dhe të shohim se si do të mund të punojmë në të dy këto drejtimit, edhe të deeskalimit, edhe të normalizimit”, tha Kurti.
Ai tha se në takim janë diskutuar edhe çështja e deeskalimit, edhe ajo e normalizimit. Kryeministri tha se e ka nisur takimin me vërejtjen se “masat ndaj Kosovës janë të padrejta, ndonëse thuhet se janë të përkohshme”, meqenëse, shtoi ai “Kosova nuk mban asnjë faj, as për eskalim të gjendjes e as për mosnormalizim të raporteve”.
Plani i BE-së të cilin e mbështetë edhe SHBA-ja parasheh largimin e kryetarëve dhe policëve nga objektet komunale në katër komunat veriore, zgjedhje të reja dhe kthim në dialog. Por Kurti nuk pajtohet me mënyrën.
“Për zgjedhje të parakohshme dakord, por duhet përgatitje. Tjetra: për ta larguar kryetarin nga ndërtesa në Leposaviq, kjo bëhet me zgjedhje. Ndërkaq sa i përket pikës së tretë: Policia jonë është në ndërtesë sepse ju e dini çfarë gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë”, tha ai.
Zgjedhjet e reja, Kurti kërkon garanci për pjesëmarrje dhe arrestim ose largim të ekstremistëve të dhunshëm
Kur thotë se pajtohet për zgjedhjet, Kurti thekson se ato mund të bëhen vetëm sipas nenit 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale që parasheh mbledhjen e nënshkrimeve të 20% të elektoratit.
“Unë jam dakord që kur të zgjidhet një kryetar i ri në Leposaviq të ketë pranim-dorëzim zyrtar e paqësor të detyrës. Kjo do të kontribuonte në deeskalim të situatës”, tha Kurti.
Duke përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve, Kurti tha se është për zgjedhje, të cilat do të përgatiteshin mirë, duke kërkuar njëfarë garancie nga ndërkombëtarët që të mos ketë sërish dështim.
“Edhe faktorët europianë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kam lutur: le të punojmë bashkë që të mos shkojmë prej një dështimi në një dështim tjetër sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve. Unë jam i interesuar që qytetarët të marrin pjesë, mirëpo ne nëse vetëm shkaktojmë zgjedhje të parakohshme, nuk ka garancion që 3.5 përqindëshi bëhet 60 a 70 përqind. Nuk ka kurrfarë garancioni”, tha ai. Sipas tij, Lista Serbe është e vështirë të bindet të marrë pjesë në zgjedhje tash, kur siç tha ai, “po rrëshqet gjithnjë e më shumë në paligjshmëri”.
Para se kjo të bëhet, ai thotë se duhen arrestuar ose larguar në Serbi ekstremistët e dhunshëm”.
“Çka ndihmon më së shumti këtu është që ekstremistët e dhunshëm ose të përballen me drejtësinë, ose të shkojnë në Serbi”, tha Kurti. Kjo, sipas tij, ndihmon shumë “për pjesëmarrjen e lirë të serbëve në zgjedhje”.
Ai e përsëriti sot premtimin që tha se ia kishin dhënë ndërkombëtarët se Lista Serbe do të merrte pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.
“Ndërkombëtarët nuk kanë arritur që ta plotësojnë premtimin ndaj meje për pjesëmarrjen e Listës Serbe kur ajo ka qenë shumë më normale se që është sot, andaj pjesëmarrja e saj në vijim është edhe më i vështirë”, tha Kurti.