Deklarata e ambasadorit gjerman në Beograd, se bombardimi i Jugosllavisë nga NATO ka qenë i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin në Kosovë ka nxitur reagime të shumta në Serbi.
Ministri i Drejtësisë së Serbisë, Vladimir Leposaviq, ka thënë se Schieb duhet të kërkojë falje për deklaratën e tij, derisa krerë të lëvizjeve politike në Serbi e përmendin edhe dëbimin ambasadorit gjerman nga Serbia.
“Është një hap larg dëbimi i z.Ambasador, vendi i të cilit ka marrë pjesë aktivisht në krijimin e kaosit në Ballkan, tre herë gjatë shekullit të kaluar”, ka shkruar Sasha Raduloviq udhëheqës i lëvizjes “Mjaft është mjaft”.
Ai tutje ka pyetur edhe pse Qeveria e Serbisë po hesht ndaj një deklarate të tillë të diplomatit gjerman.
“ A është shefi Qeveria jonë, apo shefi i shtetit tonë është ky zotëria?”, ka shkruar tutje Raduloviq.
Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje diskutabile, megjithatë thotë se reagimi ishte i nevojshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe gjenocidin në Kosovë.
“Unë jam në dijeni që ishte një çështje diskutabile dhe që s’kishte vendim të Këshillit të Sigurimit (për të nis ndonjë veprim ushtarak), por disa vendime duhet marrë, qëllimi ishte shmangia e një katastrofe humanitare, shmangia e gjenocidit”, ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës.
Diplomati gjerman ka thënë se për Serbinë bombardimi ka qenë një gjë shumë e vështirë, por ka potencuar se duhet ditur që një veprim i tillë (bombardimi) nuk ka ndodhur pa ndonjë arsye të madhe