Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaNë Amerikë para qershorit?, Kurti: Kur të shkoj, do të rri dy...

Në Amerikë para qershorit?, Kurti: Kur të shkoj, do të rri dy javë

Në shtator të vitit 2021, kishte thënë në nëntor, e gjatë nëntorit ishte thënë për në fillimin e vitit 2022, derisa në këtë fillim viti, kur pothuajse i jemi afruar pranverës, po thotë se do të shkojë përpara qershorit. Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm po shtyhet.

Pikërisht në ditën kur Kryeministri Kurti është pyetur se kur do të shkojë në Washington, për vizitë zyrtare, atje është shfaqur Ministri i Brendshëm, Xhelal Sfeçla, i cili ka njoftuar se ka takuar emisarin  e State Department për Ballkanin, Gabriel Escobar. Por një vizitë në kryeqytetin e shtetit më mik të Kosovës në botë, ende nuk e ka realizuar Kurti.

I pyetur nga gazetarët se çfarë ka ndodhur me paralajmërimin për vizitë në SHBA për në fillimin e këtij viti, kreu i Qeverisë ka thënë të mërkurën se pengesat për realizimin e kësaj vizite janë të llojit logjistiko-teknike, derisa ka zbuluar se do të shkojë në Amerikë para qershorit dhe se atje do të synojë të qëndrojë dhjetë ditë ose dy javë, meqë Amerika është e madhe e vizita do të ketë më shumë.

“Besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tre ditë atje. Kur te shkoj ne SHBA nuk mund të shkojë për tri ditë, do te shkojë për 10 dite apo dy javë, sepse është një shtet shumë më i madh e shumë më larg, por edhe takimet që mund t’i bëjë atje do të jenë më të shumta sesa në Evropë. Për shkak te situatës te cilën ndodhemi, jemi detyruar ta shtyjmë muaj pas muaji. Por nuk vjen në shprehje rishikimi i Buxhetit në mesvit pa shkuar unë në SHBA. Edhe unë jam i interesuar të shkojë, dhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Jo që do të shkoj por edhe do të kthehem. Do te shkoje të qëndrojë me gjatë se sa ne shtetet e BE-së. Do të më duhet ndoshta të qëndrojë pak më shumë se zakonisht, kështu që ju do të mund ta bëni pyetjen se kur do të kthehet”, ka thënë më 9 mars lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Pas marrjes së mandatit të dytë si kryeministër i Republikës së Kosovës në vitin 2021, krahas rezultatit të madh që kishte korrur në zgjedhjet e 14 shkurtit, një vizitë e Kurtit në SHBA shihej si një argument i fuqishëm për të provuar se kreu i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka raporte të mira me Uashingtonin zyrtar dhe se nuk i ka të acaruara raportet me Amerikën, arsyetim ky me të cilin LDK-ja vendosi ta prishte koalicionin e ta rrezonte nga pushteti në vitin 2020, pak muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Një vizitë në Amerikë përmendej e kërkohej dhe shfrytëzohej edhe si presion për Kurtin nga opozita. Si rezultat, në shtator të vitit 2021 në një seancë të Kuvendit, kryeministri Kurti kishte deklaruar i vendosur se në nëntor do të shkonte në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk kam aplikuar për vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që s’kam pasur synim që të shkoj. Mirëpo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të udhëtojë në nëntor. Pra në muajin nëntor do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte deklaruar kryeministri Kurti, derisa kishte shtuar se sa i përket miqësisë më Joe Biden, e ka dëshmuar atë kur e ka përkrahur publikisht në garën presidenciale kundër Donald Trump.

Megjithatë fjalët e Kurtit për vizitë në Amerikë gjatë nëntorit 2021 s’kanë dalë të vërteta.

Kur kishte ardhur muaji në të cilin Kurti duhej të ndodhej në Amerikë duke shtrënguar duart me zyrtarë amerikanë, siç pati deklaruar, zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Perparim Kryeziu, kishte treguar se vizita është shtyrë për në fillimin e vitit 2022.

”Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Washingtonin”, kishte thënë Kryeziu në një përgjigje për Klan Kosovën.

Mbetet të shihet nëse një vizitë e tillë e kryeministrit Kurti do të realizohet, marrë parasysh rrethanat e fundit të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe shpërqendrimin e vëmendjes të Perëndimit dhe fokusimin e qendrave të botës në vetëm atë që po ndodh në Ukrainë./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments