Në ambientet e kazermës “Adem Jashari”, sot u mbajt ceremonia ushtarake e diplomimit të kadetëve të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, respektivisht Qendrës për Studime Universitare të gjeneratës 2021.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, morën pjesë, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, zv/ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, stafi i lartë ushtarak dhe civil i Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHP të FSK-së, atashe ushtarakë të vendeve partnere, oficerë të NALT-it, si dhe familjarë të kadetëve të diplomuar.
Pas ceremonisë së nderimit të flamurit, me fjalë përshëndetëse, të pranishmëve iu drejtua, nikoqirja e ceremonisë, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), komandë brenda së cilës vepron edhe Akademia e Mbrojtjes dhe QSU, gjeneral brigade Irfete Spahiu.
Gjeneral Spahiu në adresimin e saj, u rikujtoi kadetëve rrugëtimin e përbashkët me të gjitha strukturat e komandës që udhëheq për të realizuar arritjen e standardeve më të larta profesionale dhe akademike me programin tejet sfidues për përgatitje psikike, fizike, profesionale dhe intelektuale.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, në mesazhin e tij drejtuar kadetëve të diplomuar, i inkurajoi të qëndrojnë konsistentë në realizimin e synimeve me frymën dhe shpirtin luftarak gjithmonë duke ruajtur prestigjin e FSK-së dhe vlerat themelore të ushtarakut, si Detyrën, Nderin dhe Atdheun. Ai gjithashtu, shprehu falënderimin për partnerët tanë të cilët me mbështetjen e madhe mundësuan zhvillimin dhe avancimin e QSU-së.
Në emër të ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, në fjalën e tij. zv.ministri Syla, i cili u rikujtoi kadetëve rrugëtimin me përplot sprova e sfida gjatë studimeve. Ai gjithashtu, shprehu besimin e plotë në suksesin dhe fitoren e garantuar të tyre në përmbushjen e misionit gjatë shërbimit si lider ushtarak sepse gjithmonë do të udhëheqen nga vlerat e shenjta të ushtarakut, Detyrës , Nderit dhe Atdheut.
Të gjithë shprehën mirënjohjen dhe falënderimin për mbështetjen e madhe nga ana e familjarëve të kadetëve, duke shprehur besimin se si oficerë nga sot do të arrijnë shkathtësitë e duhura për pjesëmarrje dinjitoze edhe në operacionet jashtë vendit që me gatishmërinë profesionale dhe morale t’i shërbejnë njerëzimit dhe paqes kudo që ka nevojë.
Ceremonia përkatëse vazhdoi me ndarjen e diplomave për 15 kadetët e diplomuar nga ana e ministrit Mehaj, zv/ministrit Syla, gjeneral Ramës dhe gjeneral Spahiut. Në mesin e të diplomuarve ishin edhe dy kadetë nga Republika e Shqipërisë.