Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se tashmë është ndezur ngrohtorja e qytetit, pak më herët se viteve të kaluara, kjo si shkak i kërkesave të shumta të qytetarëve.
Ahmeti bëri të ditur se tashmë janë kyçur 90 mijë qytetarë me ngrohtoren qendrore, përmes rrjetit të zgjeruar të ngrohtores.
“Derisa kemi hapësirë që me projektin e ko-gjenerimit t’i lidhim edhe 30 mijë të tjerë, gati është edhe projekti i dyfishimit të ko-gjenerimit për të dyfishuar kapacitetet”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, i pari i komunës së Prishtinës thotë se kanë hartuar projektin e ngrohjes qendrore me panele solare.
“Tashmë është kryer studimi i fizbilitetit dhe përmes një granti dhe kredie përmes Qeverisë Gjermane, KFË-së dhe Bankës Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim, ne do të ndërtojmë plantazhin e dytë kisha me thanë të paneleve solare në Evropë për nga madhësia, pas Danimarkës, meqë rast do të ofrojmë ngrohje qendrore për të gjitha lagjet që kanë banim individual”, është shprehur Ahmeti.