Adem Lushajt, ekonomist nga Deçani, i duket e pakuptimtë që qeveria të nisë projekte të reja infrastrukturore siç është rruga Prizren – Tetovë pa u përfunduar rrugët magjistrale të nisura para më shumë se dhjetë vitesh.
Lushaj thotë se qytetarët e Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës përballen me transport të vështirë për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe mosfinalizimit të projekteve rrugore.
Mungesa e infrastrukturës rrugore moderne për këtë pjesë të Kosovës, sipas tij, shkakton humbje dhe nuk i lejon bizneset që të zhvillohen.
“Edhe pse i kanë filluar, kanë mbetur punimet në gjysmë që më të vërtetë janë duke e penguar zhvillimin e komunikacionit të lirë sidomos rruga Gjakovë – Klinë që është për keqardhje të kalohet andej. Njëjtë ka mbetur edhe rruga Prishtinë – Pejë”, shprehet Lushaj. Infrastruktura e dobët, sipas Lushajt, i ka lënë këto komuna pa investime.
“Investimet mund të ndikohen edhe nga këto rrugë sepse edhe më lehtë investitorët interesohen të investojnë në atë pjesë ku janë rrugët e mira, qarkullimi i mirë”, thotë Lushaj.
Rruga Prizren – Tetovë s’e pengon asnjë projekt të brendshëm
Në muajin shtator të këtij viti në një mbledhje të përbashkët, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan disa marrëveshje në mesin e të cilave edhe marrëveshjen për ndërtimin e një rruge që lidhë Prizrenin me Tetovën.
Ndërtimi i kësaj rruge për të cilën tashmë janë bërë studimet e fizibilitetit pritet të përfundoj deri në fund të vitit 2024.
Kostoja e projektit që përfshinë edhe një tunel rreth 6 kilometra të gjatë, pritet të jetë rreth 150 milionë euro dhe synohet që të ndërtohet kryesisht me fonde nga jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Ne do të synojmë që të sigurojmë fonde për komplet projektin dhe nëse aplikojmë bashkë si dy shtete gjasat i kemi më të mëdha që të sigurojmë fonde por ne e kemi zhvilluar si projekt të rëndësisë së veçantë që edhe nëse nuk i sigurojmë komplet fondet, një pjesë të tyre do ta sigurojmë nga buxheti i shtetit”, tha Durimishi.
Durmishi thotë se nuk ka nevojë që të ngritet asnjë shqetësim në Kosovë pasi ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë nuk e stopon asnjë projekt tjetër infrastrukturor.
Ai thotë se qeveria është duke u marrë intensivisht me projektet e nisura më parë meqë sipas tij, modernizmi i infrastrukturës rrugore është prioritet i qeverisë.