Mavericks dhe Clippers vazhdojnë të thyejnë çdo tabu në lidhje me faktorin fushë dhe dy skuadrat shtynë gjithçka për në takimin e shtatë të serisë, pas triumfit të skuadrës së drejtuar nga trajneri Tyronn Lue brenda në Dallas.
Kawhi Leonard mori sërish për dore Clippers për të kthyer gjithcka sic ishte në fillim dhe në këtë mënyrë Utah Jazz që ishte edhe ekipi më i mirë i sezonit të rregullt, me 52 fitore e 20 humbje, do të duhet të presë edhe pak për të mësuar emrin e skuadrës kundërshtare. Mavs që kishin fituar 2 nga 3 sfidat mes tyre në “regular season” ishin bërë gati për të mbyllur llogaritë, pas suksesit 105-100 brenda në Kaliforni disa ditë më parë, kur ylli i skuadrës teksane Luka Doncic e mbylli mbrëmjen me 42 pikë, 8 topa të rekuperuar dhe 14 asist, rezultat që i dha epërsinë 3-2 ekipit të drejtuar nga trajneri Rick Carlisle.
Krejt ndryshe nga c’ndodhi në Lindje, në Konferencën e Perëndimit raundi i parë i play off-it u karakterizua nga sfida vërtet shumë të ekuilibruara.
Kjo është e vetmja përballje që ka zgjatur kaq shumë, sepse sic dihet Phoenix Suns dhe Denver Nuggets likuiduan respektivisht kampionët në fuqi të Los Angeles Lakers si dhe ekipin e Portland Trail Blazers në gjashtë ndeshje gjithsej. Clippers dhe Mavericks konfirmuan se nuk njohin limite dhe janë në gjendje për të thyer cdo lloj parashikimi të mundshëm, teksa shtynë serinë për në takimin e shtatë, i pari rast dhe i vetmi deri në këtë fazë në “post season”. Përpara sfidës së gjashtë këto dy skuadra ishin ndeshur plot tetë herë dhe kurioz është fakti që në vetëm një rast kishte fituar ekipi vendas. Bëhet fjalë për duelin e datës 18 mars, kur Mavericks triumfuan brenda në shtëpi me shifrat 105-89, ndërsa në gjithë sfidat e tjera të këtij sezoni ndërmjet tyre dy skuadrat siguruan fitore jashtë fushës së tyre. Vendasit zbritën në parket me pesëshen Doncic, Porzingis, Hardaëay, Marjanovic, Finney – Smith, ndërsa Clippers në krahun tjetrër rreshtuan nga sekonda e parë Leonard, George, Jackson, Morris dhe Batum.
Në American Airlines Center të Dallasit, përpara 18.324 spektatorëve vendasit udhëhoqën pothuajse gjatë gjithë periodës hapëse, megjithëse bëhej fjalë për avantazhe minimale. Mavericks u shkëputën dy herë deri në +5, në 12’ e parë, ndërsa në periodën e dytë Dallasi kryesoi deri me 9 pikë diferencë, 39-30, sidoqoftë miqtë ishin gjatë gjithë kohës aty, madje skuadra e vetme e mbetur në play off nga “Qyteti i Ëngjëjve” ia doli mbanë për të shkuar në interval me epërsinë minimale 48-45. Në startin e 12’ të tretë miqtë prekën dy herë avantazhin e 5 pikëve, gjithsesi ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar, ku për pjesën më të madhje të kohës u luajt pikë për pikë. Mavs reaguan pa humbur kohë, duke u shkëputur ata në +7, 67-60, ndërsa në fundin periodës së tretë ekipi i Rick Carlisle ruajti kryesimin me rezultatin 77-73. Fraksioni përmbyllës ishte tepër emocionues, megjithatë Clippers dhanë gjithcka dhe falë mbrojtjes së tyre të fortë ia dolën për të frenuar yllin slloven të Dallasit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Tyronn Lue kryesoi gjatë gjithë periodës së fundit, me përjashtim të vetëm dy rasteve: 77-75 në fillimin e 12’ të fundit si dhe në momentin kur tabela elektronike shënoi shifrat 85-84 në mesin e kësaj periode, pas aksionit për tre, me kosh – faull të finalizuar nga Tim Hardaëay. Pas këtij momenti doli në pah përsëri Kaëhi Leonard, që u bë i papërmbajtshëm. “Klaë” realizoi kosha vërtet të rëndë, duke iu prerë duart basketbollistëve vendas, që nuk patën më forca për të reaguar. Goditjen e fundit 29-vjecari nga Los Angelesi iu a dha lojtarëve të Dallasit 100” para sirenës, me një kosh fenomenal nga jashtë perimetrit, që i coi shifrat në 98-90 për Clippers. Përfundimisht miqtë fituan krejt takimin me rezultatin 104-97, duke barazuar serinë në 3-3.
Kawhi Leonard e përfundoi ndeshjen me plot 45 pikë të shënuara në 42’ që qëndroi gjithsej në parket, ndërkohë në krahun tjetër 22-vjecari nga Ljubljana e mbylli mbrëmjen me double – double: 29 pikë, 8 rebound e 11 asist. Spikati te miqtë gjithashtu edhe Reggie Jackson që kontribuoi me 25 pikë e 9 topa të rekuperuar si dhe Paul George që ndihmoi me 20 pikë e 13 rebound. Kjo përballje përfaqëson një rekord në historinë e NBA, pasi kurrë më parë nuk ishte regjistruar një rast i tillë, pa asnjë fitore të skuadrave vendase në 6 sfidat e para të fazës play off. Ndeshja e shtatë e serisë që do të jetë përcaktuese për fatin e kësaj përballjeje do të luhet të dielën në mbrëmje, me një numër të kufizuar deri në 7.500 spektatorë në Staples Center, ku Mavericks i kanë fituar që të katërta ndeshjet e këtij sezoni dhe ku natyrisht basketbollistët e ekipit teksan do të bëjnë cmos për të siguruar edhe fitoren decizive, duke u hakmarrë njëkohësisht edhe për atë eliminim të dhimbshëm që Dallasi pësoi edicionin e kaluar nga Clippers në Orlando Bubble, që në raundin hapës të play off-it.