Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ditë më parë ka konfirmuar se ka aprovuar një kërkesë të Kosovës për blerje të një sistemi raketor anti-tank të quajtur “Javelin”. Kjo kërkesë e Kosovës për armatosje që për herë të parë u bë publike nga presidenti serb Vuçiq pas takimit me Christopher Hill, duhet që ta marrë edhe dritën jeshile të Kongresit Amerikan.
Vetë DASH aprovimin e kërkesës së Kosovës e ka konsideruar si një lëvizje që mbështet synimet e politikës së jashtme amerikane dhe sigurisë kombëtare të SHBA, meqë rritë sigurinë e një partneri në Evropë që ka rëndësi për vetë stabilitetin e kontinentit.
Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka thënë se beson shumë që Kongresi amerikan do ta aprovojë një shtije të tillë të armatimit për Kosovën, si shteti më pro-amerikan në botë.
Por cili është qëndrimi i NATO-s, Aleancës Veri-Atlantike e cila nga viti 1999 ka në Kosovë forcën e saj të emëruar si KFOR e që kujdeset për sigurinë në vend dhe për ruajtjen e kufijve të Kosovës. Të pyetur rreth kësaj kërkese të Kosovës për blerje armatimi, nëse e përkrahin, nëse është në përputhje me politikat e NATO-s dhe nëse acarimi i situatës së sigurisë e bën të pashmangshme një lëvizje të tillë të Kosovës për forcim kapacitetesh ushtarake, një Zyrtar i NATO-së në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se misioni i KFOR është plotësisht i përkushtuar për implementimin e mandatit bazuar në Rezolutën 1244.
Gjithashtu ka theksuar se KFOR-i në terren ka një strukturë fleksibile që modifikohet në vazhdimësi në bazë të vlerësimeve të sigurisë dhe se kjo ua bën të mundur përballimin me çfarëdo sfide që mund të shfaqet dhe që të veprohet në mënyrë efektive në përputhje me mandatin e OKB-së.
Ndërsa për çështjen specifike të kërkesës për armatim ky zyrtar i NATO-së ka thënë se duhet folur me autoritet e Kosovës dhe ato amerikane.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i ka një qëndrim fleksibël në terren, i cili rregullohet rregullisht, bazuar në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë. Kjo na lejon të përballemi me çdo sfidë që mund të shfaqet dhe të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë efektive, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së, duke kontribuar kështu në sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal. Sa i përket çështjes specifike që keni ngritur, do t’ju referoj tek autoritetet kosovare dhe ato amerikane”, ka thënë për Express ky zyrtar i NATO-së