Sonte do të zhvillohet xhiroja e katërt në Grupet A, B, C e D të Ligës së Kampionëve, derbi në “Anfield Road”
Liga e Kampionëve vazhdon sonte me ndeshjet e xhiros së katërt të Grupeve A,B,C dhe D.
Në këto grupe na presin ndeshje të “nxehta” dhe interesante.
Pa dyshim, dueli kryesor i natës do të jetë a në mes të Liverpoolit me Atletico Madridin në Grupin B.
“Reds” me një fitore eventuale në shtëpi do ta siguronin kualifikimin për në të tetën e finales.
Të Kuqtë i kanë tri fitore dhe deri tash kanë shfaqur siguri dhe fuqi.
Nga ana tjetër, “Los Colchoneros” dinë të befasojnë dhe kanë shkuar në Angli për të nxjerrë rezultat të favorshëm.
Vetëm në këtë mënyrë ekipi i Diego Simeones mund t’i shtojë gjasat për kualifikim.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Milani e ka trenin e fundit për kualifikim eventual.
Edhe pse i ka pësuar tri humbje, gjiganti italian matematikisht është ende në lojë.
Me një fitore eventuale ndaj Portos sonte dhe me një humbje të Atleticos, “Rossoneri” do t’i afroheshin vendit të dytë në vetëm një pikë.
Kurse, Porto po ashtu do të kërkojë pikë në “San Siro”.
Në Grupin A, Manchester City mund të llogarisë në kualifikim nëse e mund Club Bruggen në shtëpi.
“Citizens” janë favoritë absolutë pasi e kishin mundur ekipin belg në udhëtim 5:1.
Ndërkohë, favorit sonte konsiderohet edhe Paris Saint-Germaini, ani pse luan pa yjet si Messi, Verratti e Ramos.
Parisienët, të drejtuar nga Kylian Mbappe e Neymar, e vizitojnë Leipzigun, i cili i ka pësuar tri humbje deri tash dhe duket i dorëzuar.
Në Grupin D, përballja kryesore do të jetë ajo në mes të Sheriffit me Interin.
Skuadra moldave i ka befasuar të gjithë dhe aktualisht prin në tabelë.
Megjithatë, “Nerazzurri” me një fitore në udhëtim do të kalonin në vendin e dytë dhe do ta kthenin Sheriffin në realitet.
Në duelin tjetër, Reali nuk pritet të hasë në vështirësi për ta mundur Shakhtar Donetskun dhe me këtë rast për ta marrë primatin në grup.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të fillojnë në orën 21:00.